Partizani dashuri me “sambën”, mbërrijnë Bruno e Roma
Duket se dashuria e Partizanit me “sambën” braziliane nuk do të përfundojë kurrë. Dy sulmues brazilianë, Bruno Barbosa da Enkarnsao (shkurt Bruno) e Paolo Marsel Periera Merabet ( i mbiquajtur Roma), do të jenë në provë të skuadra e Partizanit. Lojtarët, të cilët mbërritën dje në mbrëmje në kryeqytet sot në mesditë u takuan me presidentin e “demave të kuq’, Albert Xhani në prani edhe të drejtorit të Akademisë, Genc Tomori. Dy lojtarët shoqëroheshin në Shqipëri nga agjenti Nielsen Nashimento, i cili bashkëpunon me agjencinë më të madhe të menaxhimit të futbollistëve në Brazil me qendër në Rio de Zhanjero, kreu i së cilës është Roberto De Asis, vëllai i syperyllit Ronaldinjo.
23-vjeçari Bruno Barbosa (1.70 m) është rritur në akademinë sportive të Botafagos më parë me Botafagon e me të rinjtë e Flamengos U-18, për të vijuar më pas me Foralezën në kategorinë e dytë braziliane e së fundi me Crak Go, të shtetit Goias në Brazil. 29-vjeçari Roma (1.70 m), ka një karrierë më të gjatë që nis nga Brazili (Flamengo), shkon në Korenë e Jugut te Hundai, më pas me Lokeren në Belgjikë, Pumas në Meksikë e Belenenses në Portugali. Së fundi sulmuesi ka luajtur me Ituiutaba në shtetin Minas Gerais në Brazil. Gjithsesi, lojtarët do të testohen para së për ta trajneri i Partizanit, Hasan Lika, të japë edhe vendimin përfundimtar pasi të shohë në fushë cilësitë e lojtarëve brazilianë. Partizani ka qenë “streha” e parë masive e futbollistëve nga vendi Ronaldos e Ronaldinjos, madje fanellën e kuqe e kanë veshur rreth 15 futbollistë brazilianë, ku më të spikaturit kanë qenë, Xhekson, Abilio, Karioka, Xheradinjo, Brashini, Kardek, Xhunior, Marselinjo, Tiago, Paulinio, Kokinjo, Domingos, etj. Ndërkohë që braziliani i parë i mbërritur në Shqipëri, Edu, ka lujtur për Lushnjën në vitin 1996, lojtarët e parë (4 të tillë) te Partizani mbërritën në janar të vitit 1998, ku njëri prej tyre Xhovani Dos Santos veshi për pak kohë dhe fanellën e Teutës. Më pas në sezonin 1999-2000, ndërkohë që “prurja e dytë” e madhe ka qenë ajo e sezonit 2003-2004. Sa për statistikë, aktualisht dy ish-lojtarë të Partizanit, Abilio e Brashini janë rekrutuar nga Dajti.
SKEDAT
1. Paulo Marcel Pereira Merabet (Roma)
Datëlindja: 28.02.1998
Gjatësia: 1.70m
Pesha: 70 kg
Roli: Sulmues
Nofka: Roma
Kombësia: Braziliane
Klubet
1999-2004: Flamengo
2004: Syo Buck Hyunday (Korea e Jugut)
2005: Lokeren (Belgjikë)
2005: Marilia (Brazil)
2006: Pumas (Meksikë)
2006-2007: Belenenses (Portugali)
2008: Santa Cruz/
Ituiutaba (Minas Gerias), Brazili
* * *
2. Bruno Barbosa Da Enkarnasao
Datëlindja: 13.05.1985
Gjatësia: 1.79m
Pesha: 82 kg
Roli: Sulmues
Nofka: Bruno
Kombësia: Braziliane
Klubet
1998-2002: Botafago
2003-2007: Flamengo
2007: Fortaleza
2008: Crac Go (Brazil)
“Tradhton” Muzaka, vishet bardheblu
Gjergji Muzaka zyrtarisht është një lojtar i Tiranës. “Nyja gordiane” e së ardhmes së lojtarit u zgjidh përfundimisht në zyrën e presidentit të Partizanit, Albert Xhani te “Kullat Binjake” në kryeqytet. Pas rënies paraprakisht dakord midis mesfushorit dhe kryedonatorit të Tiranës, Refik Halili, ky i fundit së bashku edhe me avokatin e lojtarit e vetë Muzakën, ishte i pranishëm në mbylljen me sukses të bisedimeve dhe sigurimin e lejes së kalimit. Shuma e transferimit të Muzakës nga Partizani te Tirana nuk u bë e ditur, pavarësisht se burime nga stafi i ngushtë i presidentit Xhani pohuan se bosi i kuq mbeti i kënaqur me shifrën. Për Partizanin bëhet fjalë për transfertën e dytë të lojtarëve të tij te Tirana, pas mbrojtësit Tefik Osmani. 15-herë kampionët e Shqipërisë janë klubi i vetëm që kanë nxjerrë të ardhura në merkaton e brendshme, parë edhe rastin të transferimit të Arbër Abiliaj te Besa. Së fundi, ish-kapiteni Ardit Beqiri, sipas vendimit të Komisionit të Disiplinës, është lojtar i lirë nga të kuqtë, dhe mbrojtësi mund të luajë qysh javën që vjen me fanellën e Elbasanit.
29 Gusht 2008