Chavez-Obamës: Ndrysho qëndrim për Hondurasin

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez i ka bërë thirrje homologut të tij amerikan Barrack Obama që të ndryshojë qëndrimin ndaj qeverisë së Hondurasit të drejtuar nga presidenti i përkohshëm Roberto Micheletti i cili e mori pushtetin nga presidenti Manuel Zelaya në 28 qershor. Ai i është drejtuar Obamës duke i thënë që të tërheqë trupat ushtarake nga Hondurasi dhe të mos mbështesë liderët e grushtit të shtetit. Shtetet e Bashkuara kanë ende 600 trupa në bazën ajrore Soto Cano. Hondurasi ka qenë një aleat i fortë i SHBA-së në 1980 kur Washingtoni ndihmoi qeverinë e Amerikës Qendrore të luftonte guerrilasit majtistë. Chavez i bëri thirrje Obamës të provojë se ai nuk po e mbështet grushtin e shtetit në Honduras, ku ende nuk duket se po merr fund lufta për pushtet. Presidenti i përkohshëm Roberto Micheletti përjashtoi sërish në mënyrë kategorike një rikthim në post të Kryetarit të rrëzuar të shtetit, Manuel Zelaya. "Nëse Zelaya rikthehet në atdhe dhe i dorëzohet drejtësisë, mund të flitet për amnisti", tha Micheletti. Gjatë ditëve të kaluara Presidenti i Costa Ricas, Oscar Arias u përpoq pa sukses për sheshimin e konfliktit për pushtet në Honduras. Bisedimet e të dërguarve të të dy palëve njoftohet megjithatë se do të vazhdojnë. Zelaya akuzohet nga kundërshtarët e tij se ka patur qëllim ngritjen e një diktature. Ndërkohë është shfuqizuar ndalim-qarkullimi i vendosur nga qeveria e përkohshme për orët e natës.