E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chelsea mposht United rimerr kreun


Kampioni në fuqi i Premier Ligës, Manchester United, është mposhtur me rezultat 2-1 në Old Trafford nga rivali i drejtpërdrejtë për titull, Chelsea.

Blutë kontrolluan ndeshjen në pjesën më të madhe dhe patëm raste më të mira shënimi se Djajtë e Kuq, që ishin në mungesë të golashënuesit kryesor, Wayne Rooney.

Chelsea kaloi në epërsi të merituar që në pjesë të parë me anë të Joe Cole. Një depërtim i mirë nga ana e Florent Malouda dhe një asistim i tij nga e majta u dërgua në rrjetën e portierin Edvin van der Sar nga Cole pas 20 minutash lojë.

Pavarësisht rasteve, rezultati nuk ndryshoi deri në 10 minutat e fundit të ndeshjes kur blutë e dyfishuan epërsinë me anë të një goli nga pozita jashtë loje, i shënuar nga Didier Drogba (79').

Por nuk vonoi shumë dhe vendasit ngushtuan epërsinë me anë të një goli të shënuar nga i riu italian Federico Macheda. Pas një harkimi të Nanit dhe dëbimi nga portieri Peter Cech, topi goditet në gjoksin e Macheda dhe duke prekur edhe dorën e lojtarit përfundon në rrjetën e mysafirëve (81').

Dimitar Berbatov pati një rast të barazojë rezultatin në minutat shtesë, por bullgari e keqpërdori atë, siç bëri edhe në disa raste më herët.

Me tre pikët e sotme Chelsea pozicionohet në krye të tabelës me 74 pikë, dy më shumë se United që zbret në pozitën e dytë. Kandidati tjetër për titull, Arsenali, tani mbetet gjashtë pikë prapa kreut (68), por ka rastin ta ngushtojë në tre, kur më vonë pret në Emirates ekipin Wolves.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›