E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chengdu, dy panda rikthehen në vendlindje

KINE- Dy panda gjigande mbërritën në provincën Chengdu, vendi me përqëndrimin më të madh të pandave në Kinë, duke u pritur mjaft ngrohtë nga një masë e madhe njerëzish në aeroportin ndërkombëtar Shuangliu. Pandat gjigande e nisën udhëtimin të enjten e kaluar duke lënë pas Uashingtonin për të kryer një udhëtim të gjatë drejt shtëpisë. Atyre iu desh të kryenin një udhëtim 14 orësh me një avion të Federal Express, i zbukuruar me këtë rast me imazhin e një panda në pjesën e jashtme të tij. Gjatë rikthimit të shumëpritur në vendlindjen e tyre, televizioni shtetëror CCTV transmetoi drejtpërdrejt çdo çast të mbërritjes së pandave në aeroport. Pandat gjigande u përshëndetën nga kujdestarët e tyre të rinj pas kthimit zyrtarisht në Kinë dhe kalimit në duart e tyre përmes një ceremonie zyrtare. Tai Shan, një panda mashkull katër vjeç e gjysmë lindur në kopshtin zoologjik të Uashingtonit, dhe Mei Lan, një panda femër tre vjeçare lindur në kopshtin zoologjik të Atlanta, do të ndahen pasi njëri do të shkojë në qendrën e mbarështrimit të pandave në provincën Chengdu ndërsa tjetri në rezervatin e provincës Uolong. Personeli i këtyre qendrave do të kujdeset që pandat të mësohen me gjuhën mandarine, gjuha zyrtare në Kinë, bëri të ditur agjensia shtetërore e lajmeve Xinhua, pasi të dy janë mësuar me anglishten e kujdestarëve të mëparshëm. Aktualisht Tai Shan komunikon duke përdorur gjuhën e thjeshtë me kujdestarët ndaj një zyrtare e Fedex tha se dyshonte se gjuha do ishte problem në këtë rast. "Unë i njoh shenjat e Tai Shan ndaj një prej trajnuesve të saj në Kinë do të duhet t’i mësojë ato për të bërë të mundur ecurinë e punës me të. Por as unë nuk e flisja gjuhën e këtij vendi kur erdha këtu megjithatë e mësova shumë shpejt ndaj mendoj se edhe Tai Shan e Mei Lan do ta mësojnë shumë shpejt atë" tha administorja e komunikacioneve pranë Fedex, Darsi Guduin. Dy pandat janë lindur nga prindër të huazuar kopshteve zoologjike në Shtetet e Bashkuara për qëllime ruajtje e kërkimore, bëri të agjensia shtetërore e lajmeve Xinhua. Një masë e madhe njerëzish i mirëpriti pandat pas mbërritjes në vend. Shumë prej tyre e quajtën të drejtë rikthimin e tyre në shtëpi. "Vogëlushët tanë kanë ardhur në shtëpi ndaj ne i mirëpresim me shumë gëzim" tha një prej të pranishmëve. Pandat janë personazhe tepër të njohur në Kinë. Qendra e mbarështrimit në provincën Chengdu ka nisur një fushatë përmes internetit duke iu kërkuar qytetarëve të votojnë për një të dashur për Mei Lan, e cila mendohet se është gati të çiftëzohet. Kandidati do të përzgjidhet nga një grup pandash të seleksionuara me kujdes. Zyrtarë kinezë dhe amerikanë ishin të pranishëm në ceremoninë e organizuar në aeroport, megjithatë kjo gjë nuk u cilësua si një sinjal zbutje i marrëdhënieve dy-palëshe të tensionuara për shkak të mos-marrëveshjeve tregëtare. Konsulli i përgjithshëm amerikan në provincën Chengdu David Broën tha se shpresonte që pandat e ardhshme t’iu dhuroheshin Shteteve të Bashkuara. "Ndoshta në të ardhmen, si një shprehje më së shumti simbolike e marrëdhënieve të mira dy palëshe, qeveria kineze mund të vendosë t’i dhurojë dy panda Shteteve të Bashkuara" tha ai. Televizioni shtetëror CCTV bëri të ditur se aktualisht rreth 30 panda gjigande jetojnë jashtë Kinës, shumica e të cilave në Shtetet e Bashkuara. Pas kthimit të Tai Shan e Mei Lan tashmë 12 panda gjigande mbeten në Shtetet e Bashkuara, nëntë në Japoni, dy në Australi, dy në Austri, dy në Spanjë e tre të tjera në Tajlandë.(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›