E Shtunë, 31 Tetor 2026

Christa Wolf, shkrimtarja e ish-Gjermanisë Lindore

Christa Wolf ka qenë një prej shkrimtareve më të rëndësishme të Gjermanisë të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërroi jetë dje, në moshën 82-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi kontradiktore. Do të kujtohet si një shkrimtare e madhe, por edhe si një grua që bashkëpunoi, për një kohë të shkurtër, me policinë sekrete gjermanolindore.

Christa Wolf është një nga shkrimtaret më të famshme të Gjermanisë së periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore dhe një nga të paktët shkrimtarë të Gjermanisë Lindore me famë ndërkombëtare. Edhe pse e lëvduar gjerësisht dhe ndërkombëtarisht për kontributin në letërsinë gjermane, imazhi publik i kësaj shkrimtareje u dëmtua për shkak se ajo nuk ishte shumë kritike ndaj regjimit komunist në të cilin jetoi dhe krijoi në pjesën më të madhe të jetës. Ky reputacion mori një tjetër goditje kur në fillim të viteve ‘90 u publikua se për një periudhë për rreth tre vjet, diku mes viteve ‘50-‘60 ajo kishte shërbyer si informatore e Stasi-t, policisë së frikshme sekrete të Gjermanisë Lindore. Gjithsesi marrëdhënia e Wolf me regjimin e Gjermanisë Lindore ishte jo fort e mirë, duke qenë se ajo vetë ishte spiunuar nga shteti për një periudhë shumë më të gjatë nga periudha në të cilën ajo kishte shërbyer si informatore. Sipas shumë analistëve dhe kritikëve letrarë, Wolf ka qenë një figurë e madhe dhe shumë domethënëse në letërsinë gjermane dhe do të kujtohet gjithnjë si e tillë. Ajo lindi në vitin 1929 dhe ishte vajza e një tregtari në qytetin e Landsbergut, tani qyteti polak i Gorzov Wielkopolsit. Në vitin 1945 u zhvendosën në Gjermaninë Lindore. Katër vjet më pas, Christa, e cila ishte një marksiste e betuar në rininë e saj, u bë anëtare e Partisë së Unitetit Social.

Suksesin letrar e mori e librin e saj “Qielli i ndarë”, rrëfimi i një historie dashurie, ngjarjet e së cilës zhvillohen pak para ngritjes së Murit të Berlinit, ndërsa reputacionin e saj në rrethet letrare ajo e vendosi kur vizitoi Gjermaninë Perëndimore dhe Aushvicin. Në këtë periudhë shkruan librin: “Çështja e Kristina T”, e vitit 1968, në të cilin flet për tensionet mes kërkesave të shoqërisë dhe dëshirës së protagonistit për zhvillimin e tij të brendshëm individual. Një tjetër libër i famshëm, romani i tretë, është “Kasandra”, në të cilin flitet për rrezikun me të cilin përballet gjithmonë paqja. Në këtë libër ajo përdor figurën e Kasandrës për të folur për konfliktet gjinore. Ky libër u bë një vëllim i detyrueshëm për të gjitha feministet dhe lëvizjet feministe si në Gjermaninë Lindore ashtu edhe atë Perëndimore. Me vepra të tilla gjysmë autobiografike si “Modeli i një fëmijërie” i vitit 1976, apo romanin tjetër “Nuk ka vend në Tokë”, më 1979-n, në lidhje me një takim imagjinar me Heinrich von Kleist ajo u vendos përfundimisht në aradhën e figurave më të famshme të letërsisë botërore të pas Luftës së Dytë Botërore.

“‘Nuk ka vend në Tokë’ është shprehje e ndjesive të mia në kohën kur e kam shkruar librin. Për mua nuk kishte alternativa për vende të tjera”, ka deklaruar Wolf në një intervistë në median gjermane kohë më parë, në të cilën përshkruan ndjenjat e saj konfliktuale për regjimin e Gjermanisë Lindore. Megjithatë Wolf i është mirënjohëse fatit që e lindi në kohën e një revolucioni të madh në vitet ‘90, që siç thotë ajo ishte një epokë me shumë fat për ata që e jetuan dhe veçanërisht për krijuesit. Në lidhje me shërbimin e saj të shkurtër në policinë sekrete, Stasi, ishte vetë shkrimtarja që e deklaroi publikisht këtë fakt në një deklaratë në një gazetë gjermane. Ajo tha se kishte shërbyer për tre vjet si informatore me pseudonimin “Margarete”. Më pas e publikoi të gjithë dosjen te Stasi, në mënyrë që të shuante çdo lloj spekulimi për këtë pjesë të jetës së saj. Kjo nuk u prit mirë, madje u kritikua shumë qëndrimi i saj, për më tepër që Wolf kishte shkruar më parë se kishte qenë viktimë e ndjekjeve të policisë sekrete gjermanolindore për shumë kohë. Në një intervistë për median një vit më parë, ajo tha se, nëse kishte diçka që e inatoste në atë periudhë, ishte se njerëzit u përqendruan të gjithë në atë moment të jetës së saj, duke harruar se, në radhë të parë, ajo ishte një njeri që i kishte dhënë shumë letërsisë.

Në vitin 1989, Wolf e la partinë dhe u bë shumë aktive në dëshirën e saj për të “krijuar ndryshimin brenda vendit” së bashku me njerëz të tjerë që bënin pjesë në lëvizjen që do të ndihmonte në shembjen e Murit të Berlinit. Më pas, më 28 nëntor të vitit 1989, bashkë me shkrimtarin Stefan Heym dhe teologun Friedrich Schorlemmer dhe të tjerë mbajti idenë e vazhdimësisë së Gjermanisë Lindore, duke deklaruar se ajo nuk duhej që të thithej nga Gjermania Perëndimore. Ajo nisi që të këshillonte njerëzit që donin të largoheshin nga Gjermania Lindore që të vazhdonin të qëndronin në të, në mënyrë që të krijonin një shoqëri me të vërtetë demokratike. Pas shumë deklaratash, fjalimesh, letrash të hapura dhe intervistash Wolf, e cila ishte sulmuar me akuzën e “avokates së socializmit” u tërhoq nga jeta e përditshme politike. Në vitin 2010 publikoi romanin e saj të fundit, një libër ngjarjet e të cilit zhvillohen në Kaliforni, ku autorja kishte jetuar disa kohë si e ftuar e fondacionit “Getty” për një vit. Në intervistën e fundit në vitin 2010, Wolf tha ndër të tjera: “Mendoj shumë për vdekjen dhe jam e ndërgjegjshme se çdo ditë që kalon më afron drejt saj. Ndërsa shkruaj, ndonjëherë i them me vete vdekjes: a do të më lesh gjallë sa të mbaroj edhe këtë libër?”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›