Christopher Hill dëshmon në Hagë – Ish i dërguari special i SHBA në Kosovë u thirr nga mbrojtja e Thaçit

Pas një ndërprerje të përkohshme, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, siç njihet ndryshe Gjykata Speciale sot rifillojnë seancat e planifikuara për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sipas kalendarit të gjykatës, sot nis dëshminë ish-i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Hill. Seancat pritet të vazhdojnë edhe gjatë tre ditëve të ardhshme. Ish-diplomati amerikan ka luajtur një rol kryesor në negociatat që i paraprinë konferencës në Rambuje në vitin 1999.
Ai ishte i përfshirë në negociata me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe mori pjesë në përpjekjet diplomatike rreth asaj Marrëveshjeje. Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020, dhe Gjykata Speciale i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që janë mohuar pre tyre. Deri në tani në gjykatën e Hagës kanë dëshmuar 4 dëshmitarë të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/