E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cico në Kosovë

Për herë të parë në Kosovë do organizohet një garë në breakdance, ndërsa pjesë e jurisë është edhe breakdanceri italian Mauro Peruzzi- Cico. I quajtur ‘Princi i fuqisë’, CICO mban rekordin botëror për rrotullime, duke realizuar 27 sosh në vetëm njërën dorë Nga Mehdi Abdullahu më 24 qershor 2011 në ora 10:52

Vallëzimi “breakdance” nuk është një gjë e panjohur për kosovarët. Por, festivali i “breakdance” është mbajtur të enjten në Prishtinë, përderisa në të kanë marrë pjesë shumë të rinj kosovarë. Dhe për të zgjedhur më të mirin nga Italia kishte ardhur Mauro Peruzzi, i njohur me nofkën Cico.

Në një bisedë për Express, vallëzuesi i “breakdance” - në mesin e shtatë më të mirëve në botë - ka thënë se me këtë zanat është marrë që 16 vjet. Për t’i ushtruar të gjitha këto lëvizje, ai thotë se ka punuar shumë. “ Po, nevojitet shumë kohë që një person të ushtrojë për të arritur këto lëvizje. Kjo varet edhe nga shumë faktorë dhe nga vetë personi që merret me këtë, se sa i përkushtuar është për të arritur deri në një fazë të avancuar të zhvillimit të këtij vallëzimi”.

Sipas tij, gjëja më e rëndësishme këtu është se duhet ta gjesh stilin tënd. “Sapo ta krijosh stilin tënd, e gjen veten në të dhe fillon të praktikosh më mirë këtë vallëzim. Pra, çdo valltar në fillim provon shumë gjëra, derisa i gjen këto dhe kjo merr kohë’.
Cico kishte filluar të merrej me këtë vallëzim pasi kishte jetuar për një kohë në Gjermani. Ai thotë se gjithmonë kishte pasur dëshirë që të merrej me sporte, sidomos me motokros, por nuk kishte gjetur një mbështetje të mirë financiare. “Një ditë, derisa po kaloja andej, pash një djalosh në rrugë derisa po bënte ca lëvizje interesante. Pasi e pash këtë, mbeta i mahnitur dhe i thash vetes. “Dua të bëj këtë’, ngase nëse e bëj këtë, askush nuk mund të më thotë çfarë të bëj, ku apo kur ta bëj atë”, kujton ai momentet e para të marrjes me breakdance.

Cico thotë se mësimet në këtë vallëzim janë mësime që mund t’i bësh vetë. Normalisht, sipas tij, lëvizjet duhet t’i mësoni vetë duke i praktikuar. “Këto marrin shumë energji. Është një mënyrë shprehjeje unike”, thotë ai.

Ndërkaq, thotë se ajo që e bën të vazhdojë breakdance është se dëshiron që me anë të vallëzimit t’u jep mesazh njerëzve. Në këtë mënyrë e zbulon vetveten duke përcjellë porosi.
“Mund t’u thuash unë jam një hero dhe mund të bëj gjëra të mira. E tëra kjo nuk kërkon ndonjë para. Nëse bën sport, të duhen para. Por, nëse vallëzon breakdance, krejt çka të duhet është një radio, e lëshon muzikën në rrugë apo kudo që të jesh dhe vallëzon”.
Kurse sa i përket valltarëve të këtij zhanri në Kosovë, Cico thotë se do të përpiqet të zbulojë ndonjë talent, duke thënë se shpreson që të gjejë ndonjë të këtillë.

Workshop për breakdance

Në kuadër të kësaj gare, breakdanceri italian Mauro Peruzzi ka mbajtur edhe një workshop për të interesuarit në breakdance . Cico shquhet veçanërisht për stilin e tij energjik, kurse bën pjesë në grupin “Red Bull BC One All Stars”. Por, çfarë është vërtet kjo? Motoja e tyre është pasion për kërcim dhe njohuri. Për herë të parë në histori të breakdance, 7 B BOYS më të mirë në botë janë mbledhur dhe kanë formuar grupin me të njëjtin emër. Qëllimi: të zhvillojnë skenën e breakdance, duke mësuar të tjerët dhe duke ndarë njohuritë me ta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›