E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festë në Port, hapen dyert për publikun!

Mbikalimi për të hyrë në qytetin e Durrësit të jep disa drejtime, mes të cilëve një shigjetë në autostradë tregon Port. Për njerëzit e zakonshëm, ajo është si një “Stop”. Hyrja në port nuk është e hapur për këdo (përveç atyre që kanë punë). Përsos kësaj, aty ankorohen anije të shumta të cilat mund të shihen vetëm për së largu… Gjithçka që ndodh aty bën këdo nga jashtë kureshtar! Kjo është dhe arsyeja që Autoriteti Portal i Durrësit, për të dytin vit rradhazi organizon aktivitetin “OPEN PORT 2011”. Aktivitet që nis sot dhe mbaron nesër në mesnatë. Janë pikërisht 36 orë ‘liri hyrje-dalje’ në port. E jo vetëm kaq. E gjithë kjo kohë është e mbushur me aktivitete të ndryshme, që do të argëtojnë këdo që do të jetë pjesë e këtij eventi. Gjatë kësaj kohe do të ketë veprimtari kulturore për të gjitha moshat, në hapësirat e portit më të madh të vendit. Dy koncerte për të gjitha moshat do të mbahen gjatë pasditeve deri në mbrëmje. Kështu, përveç programeve kushtuar fëmijëve, që do të mbahen në orën 19:00-20:30, në skenën e ngritur në sheshin e madh të portit do të ngjiten artistë të të gjitha zhanreve muzikore, për të kënaqur shijet e të gjithë të pranishmëve. Kështu të ftuar të mbrëmjes së sotme do të jenë këngëtarët: Vedat Ademi, Maja, Vëllezërit korçarë dhe këngëtarja Juliana Pasha. Koncerti do të shoqërohet edhe me numra koreografikë apo akrobatikë. Më tej, enkas për këtë aktivitet, është i ftuar një nga DJ e njohur, Dj Standford. Edhe për mbrëmjen e së shtunës është përgatitur një program special, ku mes emrave të muzikës përmendim pjesëmarrjen e këngëtares së mirënjohur Eranda Libohova, këngëtarin e muzikës popullore Ylli Baka, dhe këngëtarët Gent Bushpepa dhe Çiljeta Xhilaga. Por përpos këtyre koncerteve, në zona të veçanta të portit, do të ketë aktivitete të tjera; që nga vizitat në gjithë Portin, tek ekspozitat e fotografisë, shëtitjet me patina apo biçikleta. Ndërkaq, në kalatën 4 e 5 do të ankorohen disa nga mjetet lundruese që kanë lidhur historikun e tyre me portin detar, ndërsa bashkë me to do të jenë të hapura për publikun edhe sallat e Kapitenerisë së portit, si dhe mjediset e punës së Forcës së Sigurisë portuale. Ekspozita fotografike, kushtuar qytetit bregdetar të Durrësit, përgatitur nga fotografi Gëzim Domi, do të jetë një stacion tjetër kulturor në itinerarin e Open Port 2011. Mysafirë të Festës do të jenë Ansamblet e fëmijëve artistë të QKF, si dhe ansambli popullor “Durrësi”, koncertet e të cilëve bashkë me perlat e këngës dhe valles qytetare do të sjellin mjaft aromë deti. Personeli i APD do të jetë në dispozicion të festës dhe pjesëmarrësve të saj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›