E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-portieri i Kombëtares: Tashmë në fushën e blertë “Strakoshat” e rinj

SHKRUAN: Ilda Lumani 24-06-2011 12:08

Thuhet se “vështirësitë të bëjnë më të fortë ”! Ky ‘postulat’ merr vlerë padyshim për ish-portierin e Kombëtares, Foto Strakosha! Përkundër fatit të tij, - etiketohej kaur, çka të bënte të shiheshe me përçmim nga pushteti i kohës…, vendit ku u rrit, - në Memaliaj, ku dhe punonte në minierë, - kohës në të cilën nisi futbollin…, - stërvitej me ekipin Minatorit (të Memaliajt) fshehurazi të atit që nuk e linte të ndiqte ëndrrën…, - megjithatë, ai arriti të shkëlqente përtej Shqipërisë. Kjo sepse kur lind një yll, ai është i destinuar të shndrijë! Legjenda e futbollit shqiptar, Foto Strakosha, sot është menaxher dhe trajner i portierëve të “Panionios” (në Greqi), skuadër me të cilën fitoi Kupën e Greqisë në vitin 1998! Në këtë skuadër sot luan me ekipin e të rinjve, Thomai, djali i tij i vogël që po ndjek rrugën e të atit, atë të portierit. Ndërsa Dhimitri luan në një tjetër skuadër në pozicionin e mbrojtësit. Në një rrëfim krejt të veçantë, vijnë sot “dinastia” e re e futbollit shqiptar Strakosha!

Strakosha, ka ardhur koha të flisni për djemtë, të cilët po ndjekin rrugën tuaj. Si ndiheni për këtë fakt?

Besoj që është shumë më e thjeshtë! Megjithatë, edhe pse nuk është e thjeshtë të flasësh për veten tënde, ndihem pak më i emocionuar kur më duhet të flas për fëmijët e mi. Një gjë është e vërtetë, që është shumë shpejt të flas me siguri. Sigurisht që jam pak optimist sepse më kanë dhënë shenja që kanë talent, mirëpo nga talenti, deri për ta realizuar atë që unë kam dëshirë, është shumë larg.

Konkretisht, si janë të angazhuar djemtë, çfarë pozicionesh kanë në fushën e blertë?

Djemtë e kanë nisur futbollin që në moshë të vogël. Thomai, i vogli e ka nisur që 5 vjeç e gjysmë, ndërsa Dhimitri e nisi pak më vonë, 7 e gjysmë – 8 vjeç. Janë aktivizuar gjithmonë me ekipet e moshave, tani Thomai është tek ekipi ku jam dhe unë, Panonios, stërvitet me të moshës 21-vjeçare, por ndeshjet i bën me moshën e vet 17-vjeçarët. Edhe pse ai është 16 vjeç, luan me 17-vjeçarët, stërvitjen e bën me të rinjtë dhe ka pozicionin e portierit. Ndërsa Dhimitri luan në pozicionin e mbrojtësit dhe është me një ekip të kategorisë së katërt në Greqi. Kam pasur qëllimin që të ishte larg meje dhe të fitonte pak më tepër egërsinë e gjykimit. Unë jam shumë i ashpër dhe dua të jem, siç themi “të mos më marrë koka erë”, dhe qëllimisht u mundova ta çoja në këtë kategori, që të fitojë pak ashpërsi dhe të jetë më i fortë.

Le të flasim pak për të madhin, Dhimitrin, sa kohë ka tek ky ekip? Dhe ka qenë zgjedhja e tij pozicioni i mbrojtësit, apo aty i ka pasur të dhënat?

Ka një vit. Unë isha për 3 vjet në Qipro dhe punoja aty. Që nga viti i kaluar, kur unë u ktheva nga Qipro, Dhimitri filloi tek ky ekip. Kemi shpresa se mund të ngjitet në një ekip më lart. Faktikisht është diçka, trajnerët që kanë punuar me të janë munduar t’i gjejnë Dhimitrit një pozicion ku mund të jetë më rezultativ. Por unë kam pak mendim të kundërt, unë them se nëse do të luante në sulm do të ishte më rezultativ. Megjithatë, nuk dua të ndërhyj në pozicionin që ai ka zgjedhur.

Kjo sepse pozicioni i sulmuesit të bën më të suksesshëm?

Jo nuk është kjo. Në fakt nuk e kam kërkuar shumë te vetja arsyen, ndoshta është ajo ndjenja që unë isha mësuar gjithë jetën, që mundohesha të mos haja gola, dhe tani më del në krah të kundërt dhe dua që fëmija im të bëjë gola. Ndoshta është kjo! (qesh). Por them se aty do ishte më rezultativ.

Sot Dhimitri është në kategorinë e katërt, por si e shihni ju të ardhmen e tij futbollistike?

Unë te Dhimitri, e them me sinqeritet, shoh se ka të dhëna shumë të mira, ka talent. E vetmja gjë që më bën pak modest dhe të mos them shumë fjalë, është shpirti luftarak, që nuk është shumë. Duhet të jetë pak më i ashpër, pasi futbolli e kërkon këtë gjë. Prandaj e çova dhe larg meje në një kategori tjetër, ka reaguar sigurisht, por unë jam kërkues ndaj tyre.

Përsa i përket Thomait, ka zgjedhur portën. Ju vjen mirë që po ju ndjek juve?

Me sinqeritet, Dhimitrin, kur filloi të bënte hapat e para, nuk doja që të ishte portier dhe me të ja arrita qëllimit. Nuk doja sepse e quaja pozicionin më të vështirë. Ndërsa tek i vogli, nuk isha aq këmbëngulës, pasi e shihja që e donte me pasion portën. Unë ua them me sinqeritet që nuk më vjen mirë, sepse është një pozicion shumë i vetmuar, është një pozicion që do të jesh shumë mirë, ose përndryshe është shumë e vështirë që të bësh karrierë në futboll. Por megjithatë, përderisa më tregoi që e ka me passion, me dëshirë shpresoj të arrij shumë.

Strakosha, ju vetë jeni një emër ikonë në futboll. Djemtë tuaj kanë fatin që ta zhvillojnë karrierën e tyre në kushte më të mira se ju dhe në një vend europian. Mendon se do t’i kapërcejnë kufijtë e Greqisë me famën e tyre?

Në fakt, më besoni, nuk jam në gjendje unë të gjykoj se çfarë suksesi kam arritur. Them këtë që, shyqyr zotit, mund të kisha ecur edhe më mirë, mund të kem ecur mirë, atë besoj e gjykojnë të tjerët. Por atë që jam mëse i bindur me veten time, dua që fëmijët e mi të arrijnë më lart se unë.

Foto, keni dy djem dhe ata ndoqën rrugën e futbollit si ju. Bashkëshortes suaj i vjen pak keq për këtë gjë, që në familje mbizotëron futbolli?

Është bërë edhe ajo me sportin tani, madje ka filluar gjykon, ka edhe mendime për sportin. Edhe ajo është e kënaqur për djemtë që kanë të dhëna dhe talent, edhe kjo është kënaqësi më e madhe.

Foto, djemtë kanë emra grekë…

Jo, në fakt. I vogli ka marrë emrin e xhaxhait tim, që na e kishte lënë gjyshja si amanet, i cili vdiq në moshë të re në Tiranë, nga një bombë të hedhur nga aeroplanët në kohën e italianëve. Gjyshja e kishte merak që t’i vihej emri dhe të merrte dhe uratën që të merrte dhe ditët e tij, xhaxhait tim. Ndërsa Dhimitri ka lindur në datën 26 tetor që është dita e Shën Dhimitrit!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›