E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ciko: Kupën e respektojmë, kampionati është parësor për ne

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Ndihmëstrajneri gjirokastrit: Kujdes nga Butrinti debutues, që drejtohet nga i madhi Milto Gurma

Ekipi i Luftëtarit, si asnjëherë tjetër në historinë e tij mbi 80-vjeçare, këtë sezon është në gjendje të nxjerrë në tapet dy skuadra, njërën, më të rëndën, për kampionat, dhe tjetrën, më egoisten,  për Kupën e Shqipërisë. E dyta, nën drejtimin e trajnerit Mustafa Hysi, është nisur sot nga shtëpia për në Krujë, ku do të luajë me Kastriotin dhe do të kthehet përsëri në Gjirokastër, ndërsa e para ka qëndruar këtu, duke vazhduar përgatitjet për duelin me Butrintin,  nën drejtimin e ndihmëstrajnerit Kristaq Ciko.

Pra, sikundër kuptohet lehtë, Luftëtari gjithë bateritë i ka të përqendruara në luftimet për fitore në kampionat. Numri 2 i stolit gjirokastrit, Kristaq Ciko, thekson se Luftëtari e respekton kupën, por më tepër është i përqendruar te kampionati. Ai flet me radhë për ndeshjen e fituar me Lushnjën, të sotmen me Kastriotin dhe atë të së shtunës me Butrintin.

Lushnja Përballjet e këtij rangu gjithmonë sjellin çaste të bukura  dhe rivalitet të theksuar. Gjatë pjesës së parë ekipi ynë ishte superior, kurse në të dytën edhe mund të ndëshkoheshim. Pra, kemi çfarë të përpunojmë për ndeshjet e ardhshme. E ndiej për detyrë të falënderoj Lushnjën për paraqitjen dinjitoze dhe lojën korrekte që prezantoi në stadiumin tonë dhe i uroj suksese në vazhdim të kampionatit.

Kastrioti Ndeshjet për Kupën e Shqipërisë ekipit tonë i shërbejnë për tu dhënë hapësira në radhë të parë atyre që nuk aktivizohen në kampionat , të cilët, me mobilizimin dhe aftësitë e tyre, eliminuan Tomorin  e superligës. Shpresojmë se edhe me Kastriotin do ta tregojnë veten dhe kështu Luftëtari do të respektojë kupën deri aty ku do të arrijë, por nuk e fshehim se ne përqendrimin maksimal e kemi te kampionati.

Butrinti Duke parë rezultatet e ekipit sarandiot, veçanërisht në fushën e tij, them se duhet të jemi të vëmendshëm, sepse, përveç entuziazmit që ka si debutues, përmasat e tij rriten edhe nga fakti që ai drejtohet nga i madhi Milto Gurma, që ka ndërtuar një grup kërkues dhe luftarak. Ne po punojmë për korrigjimin e atyre defekteve, që konstatuam në ndeshjen me Lushnjën. Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment që ekipet që konsiderohen të vogla jo rrallë shfaqen mjaft të rrezikshëm. I uroj suksese Butrintit në ndeshjet që do të luajë pas kësaj me Luftëtarin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›