E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi zyrtarizon Tortoshin

Hysi më në fund është bërë me trajner të ri. Bardhezinjtë të martën kanë arritur marrëveshje me Jusuf Tortoshin. Ish-trajneri i Flamurtarit beson se do t’i nxjerrë llapjanët nga kriza e rezultateve derisa synon ta mbrojë edhe titullin e kampionit.

Më në fund, kampioni aktual i Kosovës, Hysi e ka gjetur trajnerin e ri, pasi Afrim Tovërlani ishte largua nga Merdari vetëm pas dy seancave stërvitore.

Siç është pritur, ekipi bardhezi të martën përfundimisht ka arritur marrëveshje me trajnerin e njohur, Jusuf Tortoshi, i cili menjëherë ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore me skuadrën.

Ish-timonieri i Prishtinës dhe Flamurtarit ndihet i kënaqur për faktin se të paktën gjatë këtij kampionati do t’i udhëheqë kampionët e Kosovës.

“I falënderoj krerët e Hysit për besimin. Kur një klub kampion ta japë besimin për ta udhëhequr skuadrën, sigurisht se është nder i madh për çdo trajner”, deklaroi Tortoshi për Express, i cili mbetet me shpresë që skuadra e tij e re shumë shpejt do ta tejkalojë krizën e madhe të rezultateve.

“Kemi një orar të vështirë, por unë jam optimist se mund t’i kalojmë këto sfida. Jam i bindur se edhe këtë krizë të rezultateve do ta tejkalojmë shpejt. Futbollistët duhet të këndellen. Ata janë që e kanë bërë Hysin kampion, dhe ata duhet ta nxjerrin nga kjo krizë e rezultateve. Në bashkëpunim me ndihmësin tim, Fadil Ademin dhe me gjithë lojtarët, besoj se do t’ia dalim mbanë”, theksoi Tortoshi.

Pavarësisht se Hysi ka ngecur në renditjen tabelore prej pretendentëve të tjerë për titull të kampionit, Tortoshi thotë se me skuadrën e tij do të bëjnë çmos për ta mbrojtur atë trofe.

“Duhet t’iu kthehemi rezultate pozitive. Në afatin kalimtar të janarit do të shikojmë se a na duhet ndonjë përforcim dhe nëse na jepet rasti, ne do të mundohemi ta mbrojmë titullin e kampionit. Pse jo, vetëm dhjetë xhiro janë zhvilluar deri më tani, kurse kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe 23 xhiro të tjera dhe në futboll asgjë nuk dihet”, përfundoi Tortoshi.

Aktualisht Hysi pozicionohet në vendin e tetë të tabelës me 12 pikë, dhjetë më pak sesa lideri Drita.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›