Lushnja, të gjithë mbështetin trajnerin Malko
Alberto Toshkëzi dhe shumë emra të tjerë e shohin trajnerin e ri si njeriun e duhur për skuadrën, që është në përpjekje të ringritjes
Humbja në transfertën e Gjirokastrës javën që shkoi, sigurisht që ka lënë një shije të keqe te të gjithë lushnjarët. Por, pavarësisht kësaj, ka shpresa për ringritjen e skuadrës pas atij 90-minutëshi. Lushnja, e drejtuar tashmë nga Saimir Malko, një emër i njohur i futbollit shqiptar, ka treguar se ka stof për të qenë pretendente.
Në ndeshjen e fundit lushnjarët kanë pësuar një gol nga një goditje standarde, shumë lehtë i evitueshëm nga mbrojtja, ndonëse ka dyshime për pozicionin e futbollistit që shënoi. Të njëjtën gjë beri edhe Byzhyti në pjesën e dytë, por lushnjarit iu mohua goli dhe gjirokastrit iu quajt i rregullt. Me pothuajse të njëjtët parametra, përveç lojës më të bukur të verdhejeshilëve në fraksionin e dytë, gjirokastritët morën pikët, ndërsa lushnjarët një tjetër zhgënjim në premierën e Malkos në stolin lushnjar.
Kjo javë ka nisur me analizën e humbjes dhe detyrat e dhëna nga stafi teknik për ndeshjen e së shtunës, kur në stadiumin Roza Haxhiu do të jetë mysafir Elbasani. Edhe ndeshja pasardhëse me Butrintin do të jetë përsëri në shtëpi për verdhejeshilët, por ata nuk nxitojnë dhe po i përgatisin një e nga një, duke u përqendruar tek Elbasani. Eshtë e rëndësishme që skuadra e dha shkëndijën e kthesës në Gjirokastër, ku me lojën e saj ka ngrohur jo pak.
Malko, trajneri i duhur Specialistët e futbollit lushnjar e kanë komentuar me nota pozitive ardhjen në krye të stolit të Malkos, duke e konsideruar një trajner të pjekur dhe të gatshëm të marrë përgjegjësitë e ngjitjes së Lushnjës në superligë. Pozitiv është fakti se lushnjarëve këtë javë mund tu kthehen disa titullarë, si Sefa, Dhima e Sulo, që janë të dëmtuar. Alberto Toshkëzi, një emër i njohur i sportit lushnjar si ish-futbollist dhe ish-trainer, e komenton si një lëvizje të duhur të presidentit Tushe emërimin e Saimir Malkos në stol.
“Është mjaft pozitive, që një djali lushnjar, i njohur kudo për elegancën, kulturën sportive dhe suksesin si trajner në të shkuarën me moshat, i është besuar detyra për ta kthyer skuadrën në superligë. Sigurisht që është mirë që e nisi punën me humbjen në transfertë, ku skuadra lushnjare meritonte të paktën barazimin, por unë, si shumë të tjerë të plejadës sime, kemi besim se Malko është njeriu i duhur për Lushnjën.
Do të ishte mirë nga ana tjetër që edhe ne ish-trajnerëve dhe specialistëve të na merrnin në konsideratë, duke marrë mendimet tona në ndihmë të skuadrës dhe stafit teknik. Do të kontribuonim me shumë dëshirë për Lushnjën. Gjithsesi, besoj se Malko do të ngrejë aty ku duhet futbollin lushnjar,” – ka thënë Toshkëzi.
2 trajnerë
janë ulur deri tani në stolin e Lushnjës. Ramadan Baballëku e mori drejtimin e myzeqarëve në verë dhe e përgatiti ekipin për ta drejtuar në 5 ndeshjet e para. Javën e 6-të skuadra verdhejeshile u drejtua nga Saimir Malko, por edhe debutimi ishte me humbje, e dyta për këtë sezon.
