E Diel, 1 Nëntor 2026

Cilësia e ushqimit më e sigurt, por ende larg fqinjëve

Cilësia e ushqimeve që importohen apo prodhohen në Kosovë ka ardhur duke u rritur, por ende mbetemi larg vendeve fqinje të cilat kanë avancuar drejt standardeve më të larta.

Ky ishte konkluzioni i përbashkët në konferencën e organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike e Sociale – STRAS, dhe hulumtimit “Çfarë ushqimi konsumojmë”, ku u diskutuan për efikasitetin e mekanizmave për kontroll në Republikën e Kosovës.

Në konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të AUVK, IKSHPK, Doganave të Kosovës, të “Kosova Halal Institute”, bizneseve, asociacioneve të biznesit dhe të shoqërisë civile.

Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i STRAS-it, theksoj se në krahasim me vëllimin e madhe të ushqimit të importuar, sasia e artikujve të dyshimtë ka ardhur duke u zvogëluar.

“Agjencioni i Ushqimit dhe i Veterinës sivjet ka asgjësuar rreth 1,1 milionë kilogram artikuj ushqimor. Sasia e artikujve të asgjësuar është në rritje dhe kjo tregon për kontrollin e përforcuar, por edhe rritjen e vëllimit të qarkullimit”, tha Drejtori Ekzekutiv i STRAS-Ibrahim Rexhepi.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, kontrollon produktet e 52 prodhuesve në vend. Nga 4.062 mostra të kontrolluara të ushqimit, vetëm 3,79 për qind të tyre nuk ishin në përputhje me standardet, si edhe 7,9 për qind nga 4.750 mostra të ujit.

Ndërkaq, Dogana e Kosovës , në periudhën 2010-2012 nga 6,2 miliardë euro sa ishte importi, ka asgjësuar mallra ushqimore me vlerë 3.045.963 euro, ku pjesën më të madhe e përbëjnë vezët, mielli, sheqeri, qumështi dhe produktet e tij, si edhe mishi dhe produktet e tij.

“Baza ligjore është e kompletuar dhe kjo na jep mundësinë që të luftojmë këto dukuri me një efikasitet të shtuar. Si shërbim jemi në dispozicion gjatë 24 orëve dhe pjesë e çdo ekipi ku doganohen mallrat që hyjnë në Kosovë. Në këtë kuadër vlen të theksohet se kemi rritur dukshë aktivitetin drejt parandalimit të hyrjes dhe shitjes së mallrave me origjinë të dyshimtë”, tha Valdet Gjinovci, drejtor i AVUK./Indeksonline/ 
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›