E Diel, 1 Nëntor 2026

Cilësia rumune

Shteti i Rumanisë beson se në kuadër të misionit të EULEX-it në Kosovë, përveç që ka dërguar shumë staf, ka edhe ekspertë me përgatitje të lartë.

Expressi ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rumanisë, të cilët kanë thënë se kontributi i 191 rumunëve në EULEX, është në sasi dhe në cilësi.
Sipas këtij shteti, të dhënat për këta 191 persona, para se të vijnë në Kosovë, i janë dërguar edhe Këshillit të Bashkimit Evropian për miratim të kritereve përkatëse.

“Kontributi i Rumanisë në EULEX është i bazuar në dy pikëpamje, në numër dhe kualitet të personelit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rumanisë për Express.

Në këtë mënyrë del se 16 policët rumunë që u zunë duke kontrabanduar cigare e alkool nga Kosova për në Maqedoni, kanë qenë ndër më të mirët që Rumania ka dërguar në EULEX.

“Janë dy mënyra të dërgimit të stafit nga shtetet. E para, që ata aplikojnë individualisht”, thotë Kristiina Herodes, zëdhënëse e EULEX-it për Express.

Në këtë grup bënë pjesë Spanja, qytetarët e së cilës për t’u pranuar në punë në EULEX, kanë aplikuar direkt dhe Qeveria e shtetit të tyre nuk ka të bëjë asgjë me ta.

“E dyta mundësi është që ata aplikojnë në shtetin e tyre dhe Qeveria i përzgjedh dhe i dërgon ata”, thotë Kristiina Herodes, zëdhënëse e EULEX-it për Express.

Në këtë rast, të punësuarit në EULEX nga Rumania, kanë ardhur në Kosovë të dërguar nga Qeveria e shtetit të tyre.

Në lidhje me këtë çështje, Expressi ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rumanisë në Bukuresht.

Sipas shtetit rumun, format e aplikimit të ekspertëve nga institucionet shtetërore apo nga organizatat joqeveritare të cilat kanë mbështetje politike nga Ministria e Punëve të Jashtme, i janë dërguar Këshillit të Bashkimit Evropian për aprovim të kritereve profesionale.

“Në lidhje me pjesëmarrjen e Rumanisë në misionin e EULEX-it, ju duhet të kontaktoni zyrtarët e këtij misioni në Prishtinë”, thonë nga MPJ e Rumanisë.
Por në lidhje me këtë çështje, Kristiina Herodes, zëdhënës e EULEX-it sqaron se për gjëra të tilla si dhe në lidhje me rastin e 16 policëve rumunë, duhet pyetur Zyrën Ndërlidhëse të Rumanisë në Prishtinë.

Megjithëkëtë, në këtë zyrë thonë se nuk mund të thonë asgjë, sepse nuk kanë asnjë person që merret me media dhe përgjigja e tyre e vetme është që të kontaktohet MPJ-ja në Rumani.

Por tentimi për kontrabandë nga policët rumunë të EULEX-it, duket se nuk do të kalojë aq lehtë. Ky mision ka njoftuar se ka nisur hetimet.

Shefi i EULEX-it në Kosovë, Yves De Kermabo ka përjashtuar mundësinë që ai të japë dorëheqje nga ky mision, për shkak të këtij rasti.

Gjatë vizitës së tij në Gjilan, De Kermabo tha se duhet pritur rezultatet e hetimeve, por ka shtuar se lidhur me këtë ka reaguar menjëherë dhe ndodhet në kontakte të vazhdueshëm me autoritetet rumune dhe ato në Bruksel.

“Nëse kjo akuzë konfirmohet, atëherë do të merren masa të rrepta, për arsye se për EULEX-in kjo nuk është aspak e pranueshme”, ka thënë Yves De Kermbo.

Ai e pranoi se ndihet i shqetësuar për imazhin e EULEX-it, por tha se më tepër shqetësohet për imazhin e Kosovës ngase, ky mision ndodhet këtu për suksesin e Kosovës e jo për suksesin e misionit EULEX.

Doganat e Maqedonisë, kanë konfiskuar të martën në mëngjes në pikë kalimin kufitar me Kosovën në Bllacë, 341 bokse cigaresh të llojeve të ndryshme dhe 133 litra pije alkoolike. Ato janë zbuluar në një autobus me zyrtarë të misionit EULEX.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›