E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Cili është roli i Turqisë në krizën e marrëveshjes së grurit, Zelensky: Do flas me Erdoganin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se do të zhvillojë bisedime me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për të diskutuar çështjet e lidhura me grurin.

“Sonte kam në plan të zhvilloj bisedime me presidentin turk Erdogan. Për rajonin e Detit të Zi, sigurinë ushqimore dhe tema të tjera të rëndësishme”, tha Zelensky në fjalimin e tij.

Erdogan tha më herët sot se Turqia nuk do të hezitojë të marrë iniciativën e nevojshme për të parandaluar efektet e dëmshme të tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja.

Presidenti e përshëndeti marrëveshjen e grurit si një “iniciativë jetike” për njerëzimin, duke nënvizuar angazhimin e Turqisë për të mbështetur të ardhmen e saj, sipas agjencisë shtetërore të Turqisë Anadolu.

 “Nëse dikush në Rusi shpreson se do të jetë në gjendje ta bëjë Detin e Zi një hapësirë arbitrariteti dhe terrorizmi, ata nuk do të kenë sukses”, tha ai.

Duke folur për sulmet ruse jo vetëm në qytetin port të Odesës, por edhe në komunitete të tjera ukrainase, Zelensky kritikoi edhe një herë Rusinë, transmeton CNN. 

“Vetëm e keqja absolute mund të shkaktojë sulme të tilla. Do të ketë një përgjigje. Përveç kësaj, do të ketë edhe më shumë konsolidim të botës për mbrojtje dhe veprim të përbashkët, akoma më shumë energji për fitore, akoma më shumë dëshirë për drejtësi, ndëshkim të drejtë të Rusisë për të gjitha krimet e kësaj lufte. Dhe do të ketë një dënim të tillë”, është shprehur ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›