Cili superhero i stripave është gej?

Botuesi i stripave DC Comics, që i publikon edhe aventurat e Batman dhe Superman, ka paralajmëruar se së shpejti do të njoftojë opinionin se cili nga superheronjtë e njohur të stripave është gej.
Përgjigjja do të shuaj spekulimet shumëvjeçare lidhur me orientimin seksual të disa heronjve të stripit.
Sipas gazetës britanike ‘Daily Mail’, ka kohë që DC Comics pohonte se nuk do të ndryshonte orientimin seksual të superheronjve të vetë, por do të sillte edhe një hero krejtësisht të ri - gej.
Mirëpo, tani duket se shtëpia botuese është e gatshme që njërin prej heronjve të saj të njohur ta ‘prezantojë’ si homoseksual.
Kohë më parë njëri nga përfaqësuesit e DC Comics deklaroi se bëhet fjalë për personazhin që “është i dedikuar që të ishte një prej superheronjëve më eminent gej të stripave”, ndërkohë që një tjetër këtë kthesë radikale të kompanisë e krahasoi me qëndrimin e paradokohshëm të presidentit Obama lidhur me martesat homoseksuale.