Reali, sfidë perfekte!

Kampioni i Spanjës ka njoftuar të martën se ka arritur të vazhdojë kontratën me Mourinhon, kontratë kjo që portugezin e mban në Madrid deri më 30 qershor 2016.
49-vjeçari e udhëhoqi Realin drejt titullit të Copa del Rey në sezonin e parë, kurse në vitin e dytë fitoi La Ligën, të parën pas vitit 2008. Pas këtij suksesi, Mourinho është trajneri i parë që ka fituar ligën e Spanjës, të Anglisë me Chelsean, të Italisë me Interin dhe të Portugalisë me Porton.
“Unë gjithnjë kam thënë se kjo skuadër është e re dhe më e mira prej saj do të vijë në vitet e ardhshme. Si menaxher gjithnjë jam përmirësuar dhe e kam treguar këtë. Kam pasur eksperienca të bukura në vende dhe kultura të ndryshme dhe kam mësuar shumë nga kjo. Më pëlqen shumë ky proces”, tha Mourinho për faqen zyrtare të Real Madridit.
Trajneri portugez pranoi se kjo është një sfidë ndryshe në karrierën e tij, pasi tani duhet të mendojë në plane afatgjata, por tha se i është dashur një gjë e tillë për ta shtyrë atë që të bëhet edhe më i mirë.
“Është ndryshe për mua tani sepse më duhet të mendoj në plane afatgjata për klubin dhe ky klub është Real Madridi. Jam përmirësuar si trajner dhe si profesionist. Mendoj se kjo është sfida më e mirë për mua në katër vitet e ardhshme, sepse ju gjithmonë jepni më shumë kur gjërat janë më të vështira”, vazhdoi portugezi.
Lajmi për vendimin e Mourinhos u ka dhënë fund spekulimeve rreth të ardhmes së tij, pasi flitej se ai do të kthehej në krye të ish-klubit të tij Chelsea.
“Ndjehem i lumtur. Do të doja që tifozët të jenë të lumtur e jo vetëm unë, presidenti Perez, drejtori gjeneral Sanchez apo bordi. Ata kishin besim në mua dhe besoj se unë jam trajneri ideal për projektin e tyre deri në vitin 2016. Po ashtu një rol shumë të rëndësishëm në vendimet e mia e kanë gruaja dhe fëmijët e mi”, tha Mourinho.
I pyetur se çfarë e ka shtyrë që të nënshkruajë kontratën e re, ai u përgjigj: “Projekti në përgjithësi, dëshira e presidentit për një projekt afatgjatë, e cila është diçka e pazakontë në futbollin e sotëm si dhe besimi që ka pasur ai në punën time, madje edhe atëherë kur kishte thashetheme se unë do të largohesha”.
Mourinho krejt në fund tha se ai gjithmonë u ka premtuar tifozëve se do të qëndrojë në Real dhe se tashmë duhet më shumë të përqendrohet në plane të afërta dhe të flasë më pak për të ardhmen e largët.
“Unë gjithmonë kam thënë se është shumë e rëndësishme për mua të qëndroj në Madrid, ndërsa tifozët, ekipi dhe klubi ishin të lumtur me punën time. Jam shumë i lumtur që do të planifikoj të ardhmen e Real Madridit në vitet e ardhshme, por tani duhet të përqendrohem më shumë në plane të afërta dhe të mendojmë më pak për të ardhmen e largët”, tha në fund trajner portugez.