E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cinema Ballkan Alfred Beka

Ja fituesit e PriFilmFest. Shqipëria merr Çmimin e Publikut me "Koha e Kometës" i Fatmir Koçit dhe Çmimin Special të Jurisë për "Lindje-Perëndim-Lindje" të Gjergj Xhuvanit

Prishtinë


Ballkanasit mbizotëruan në ndarjen e çmimeve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit PriFilmFest, i cili u mbyll mbrëmë në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Tri Hyjnesha të arta shkuan tek fqinjët tanë sllavë, çmimi special i jurisë dhe ai i publikut kaluan nëpër tunelin e Kalimashit, ndërsa një Hyjneshë e vetme e pati rrugën pak më të gjatë, pasi shkoi te regjisori nga Afganistani, Siddiq Barmak. Ndërsa Kosova mbeti pa asnjë Hyjneshë.


Jo për diçka tjetër, por për faktin se asnjë film kosovar nuk kishte qenë në konkurrencë.
Filmi i fundit kosovar i metrazhit të gjatë është bërë diku para tri vjetëve, ndërsa politika e organizatorëve të festivalit ka qenë që vetëm filmat që nuk janë më të vjetër se dy vite të mund të konkurrojnë për çmime. Ishte pritur, se do të bëhej gati filmi "Gomerët e kufirit" dhe në këtë mënyrë do t'i jepte më shumë kuptim këtij festivali, por gomerët, si përtacë që janë, nuk arritën të jenë të pranishëm.

Kinematografia shqiptare u prezantua me dy filma, të dy qenë në garë dhe të dy fituan nga një çmim. Regjisori Fatmir Koçi mori çmimin e publikut me filmin "Koha e kometës", ndërsa regjisori tjetër shqiptar Gjergj Xhuvani mori çmimin special të jurisë me filmin "Lindje-Perëndim-Lindje".


Juria, e cila përbëhej nga Isa Qosja, regjisor dhe kryetar i jurisë, David Gothard, regjisor britanik, Marcel Maiga, organizator gjerman i festivaleve, Mira Staleva, zëvendësdrejtoreshë e Sofia International Film Festival dhe Saimir Kumbaro, regjisor nga Shqipëria, çmimin për filmin më të mirë ia dha filmit "Bora" nga Bosnja, regjinë e të cilit e ka bërë Aida Begic.


Ky film trajton temën e të zhdukurve në luftën e Bosnjës dhe mund të jetë si mësim për regjisorët kosovarë, të cilët do të ishte më mirë të merren më shumë me temat mbi luftën e fundit në Kosovë.


Hyjnesha e artë, për aktorin më të mirë, iu dha aktorit Velibor Topic, i cili luan në filmin kroat "Të gjallët dhe të vdekurit", i cili po ashtu trajton temën e luftës në Bosnjë, por duke e ndërlidhur me dy narrativa paralele, njëra që ndodh gjatë luftës në Bosnjë në vitin 1993 dhe tjetra lidhet me Luftën e Dytë Botërore.


Hyjnesha e artë për aktoren më të mirë shkoi në Maqedoni, te aktorja Labina Mitevska, e cila luan në filmin "Unë jam nga Titov Velez". Ky film mori po ashtu edhe një mirënjohje, që iu dha regjisores së filmit Teona Mitevska, e cila doli të jetë e motra e aktores më të mirë.


Gëzim i madh për dy motrat nga Maqedonia. Ndoshta, dhënia e dy çmimeve për filmin maqedonas do t'i ulë pak gjakrat në mes dy shteteve, pas rastit të Enciklopedisë së famshme dhe djegies së flamurit të Maqedonisë në stadiumin e Prishtinës.


Një Hyjneshë e vetme shkoi jashtë rajonit. Hyjnesha e artë, për regjinë më të mirë, iu dha regjisorit Siddiq Barmak, nga vendi i trazuar i Afganistanit, i cili është ndër prodhuesit më të mëdhenj të opiumit. Tema mbi opiumin, si dhe mbi pushtimin amerikan të këtij shteti, e kishte nxitur këtë regjisor të bënte filmin "Lufta për opiumin", i cili u shpërblye nga juria e PriFilmFest-it.


Të gjithë këta morën duartrokitje të forta të publikut, ndërsa festivalin e shpalli të mbyllur, askush tjetër pos atij që e kishte hapur, pra ministri i Kulturës, Valton Beqiri, i cili u premtoi organizatorëve mbështetje edhe për edicionin e vitit të ardhshëm.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›