E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti, përgjimet kalojnë në dore të Bodes

Ministria e Financave i kërkon Prokurorisë të nisë përgjimet për raste të dyshimta


TIRANË- Nisma ligjore që i jep Ministrisë së Financave të drejtën për të kërkuar përgjimin e telefonave ka marrë miratimin edhe të Komisionit parlamentar të Ligjeve.


Në mungesë të Partisë Socialiste, deputetët e mazhorancës kanë miratuar me unanimitet draftin "Për disa shtesa në ligjin për përgjimin e telekomunikacioneve", pavarësisht oponencës, që atij ishte bërë më parë jo vetëm nga opozita, por edhe nga vet organet kompetente, që kanë të bëjnë direkt me këtë fushë, siç ka qenë edhe institucioni i Prokurorisë.


Në diskutimin e tyre formal deputetët e djathtë, duke përfituar nga prania e mediave, kanë sqaruar gjatë mbledhjes se, projektligji në fjalë nuk le vend për abuzime, pasi është konform Kushtetutës dhe ligjeve të tjera. Përfaqësuesit e shumicës qeverisëse kanë justifikuar një nismë të tillë me nevojat, që i lindin Ministrisë së Financave në luftën e saj kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal.


Kështu, duke iu referuar edhe asaj që shkruhet në relacionin shoqërues, ata kanë shpjeguar se meqenëse në ligjin bazë përcaktohet se të drejtën për të kërkuar përgjimin e telekomunikacioneve, përveç Shërbimit Informativ, e ka edhe çdo institucion tjetër që ka në varësi të vet një shërbim informativ-policor, atëherë Ministria e Financave ka mundësinë, që të marrë të drejtën për t'i kërkuar Prokurorisë, që të nisë përgjimin për të gjitha rastet, ku ajo dyshon se kryhen veprime të paligjshme në fushën ekonomike.


Me këtë ndryshim, Ministria e Financave përfshihet ligjërisht tek organet, që mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit për veprimtarinë e organeve tatimore dhe doganore.


Megjithatë për t'i prerë rrugën shtrirjes së këtij fenomeni edhe tek ministritë e tjera që kanë shërbime policore që kryejnë edhe atributet e oficerit të policisë gjyqësore, Komisioni i Ligjeve ka parë të arsyeshme, që të mbyllë me kaq numrin e institucioneve që fitojnë këtë të drejtë.


Kështu, ndryshe nga sa propozohej në projektligj, në nenin 6 dhe 8 të ligjit bazë me ndryshimet e bëra në komision mbyllet mundësia që të drejtën e kërkesës për të bërë përgjime ta kenë edhe institucione të tjera përveç Shërbimit Informativ Shtetëror, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Financave.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›