Institucionet nuk kanë realizuar planin financiar
Taksa e sheshtë që rëndon mbi xhepat e të gjithë shqiptarëve ka rritur të ardhurat e shtetit me 1.2 miliardë lekë
TIRANË- Krahas dëmit prej 1.5 miliardë lekësh të shkaktuar nga shkeljet e administratës shtetërore, buxhetit të vitit 2008 i ka rënduar edhe mosrealizimi i planit të të ardhurave në një serë sektorësh.
Sipas të dhënave nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, kontribuuesit më të mëdhenj në të ardhurat e buxhetit të shtetit, siç janë tatimet dhe doganat paraqiten me mosrealizime plani të konsiderueshme. Në total, mosrealizimet në buxhetin e vitit 2008 janë në shifrat e shtatë miliardë lekëve.
Të ardhurat nga doganat dhe tatimet gjatë vitit të shkuar janë në nivelin e 4.4 miliardë lekëve më pak nga çka ishte parashikuar në buxhet. Të ardhurat nga akciza gjithashtu paraqiten në tregues negativ.
Nëse gjatë hartimit të buxhetit, në total nga akciza ishte parashikuar që të mblidheshin 35.5 miliardë lekë, realisht plani është realizuar rreth 91 për qind ose tre miliardë lekë më pak. Mosrealizim plani me minus 1.7 miliardë lekë, ka pasur edhe në mbledhjen e taksave nacionale.
"Gropa" e shkaktuar nga këto mosrealizime është mbushur disi nga tatimi mbi të ardhurat personale. Siç theksohet edhe në raport, për shkak të aplikimit të taksës së sheshte por edhe me rritjes së numrit të kontribuuesve paraqitet me tejkalim të planit, duke u realizuar në masën 105 për qind ose rreth 1.2 miliardë lekë më shumë.
Në krahasim me vitin 2007 të ardhurat nga ky zë paraqiten me rritje të konsiderueshme rreth 9.6 miliardë lekë më shumë.
Krahas kësaj, kontribut në zbutjen e efekteve të mosrealizimeve në dogana dhe tatime kanë dhënë edhe të ardhurat nga ndihmat të cilat janë 1.7 miliardë lekë më shumë se plani.
Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton të dhëna tejet negative për sa i përket performancës së disa Drejtorive Rajonale të Tatimeve. "Nga 37 Drejtori dhe Agjenci Rajonale të Shërbimit Tatimor, në 23 prej tyre , për qind e realizimit është nën nivelin e përqindjes së realizimit në shkallë vendi, madje në gjashtë prej tyre ai luhatet në 8 deri 17 për qind më pak",- citohet në raport. Ndër Agjencitë më problematike përfshihet ato të Korçës, Gjirokastrës, Lushnjes, Devollit, Tepelenës, Delvinës, etj.