Cirku i Tiranës, turne shfaqjesh në vendet e rajonit
Kujtim Dumi*
Gjatë muajve qershor-korrik 2009, dy grupe artistike të cirkut tonë ishin pjesëmarrës në dy takime të rëndësishëm evropianë.Kjo u mundësua nga bashkëpunimi i Qendrës Kulturore “TIRANA” me Shoqatën e Artistëve të Cirkut Shqiptar. Ftesa e parë erdhi nga Kroacia, nga fondacioni Kam-Hram, ku artistët tanë ftoheshin për të qenë pjesë e Festivalit të Tretë Ndërkombëtar “Street Talks”.
Festivali u zhvillua në qytetin turistik bregdetar të Splitit nga data 10-30 qershor 2009 dhe grupi ynë ishte i pranishëm në këtë festival në datat 10-14 qershor. Artistët tanë shfaqën për publikun dalmat, por edhe për turistët e shumtë disa nga vlerat më të mira të repertorit tonë të larmishëm. U dhanë tre shfaqje në sheshin qendror të qytetit, ku artistët shqiptarë fituan simpatinë, respektin dhe duartrokitjet e ngrohta të publikut të shumtë që i frekuentoi. Befasues dhe mbresëlënës u prezantuan të rinjtë e talentuar Manushaqe Mullahi, Stela Blloshmi, Bledian Balla si dhe nxënësit e klasës së cirkut Loredana, Klearda, Pamela, Albana, Haki dhe Sabina, të drejtuar nga artistët veteranë Fatos Roshi, Kujtim Dumi, Vilson Gjoça dhe Halil Minxolli. Pjesë e aktivitetit ishin edhe tre ëorkshop-e të organizuara në parqet publike të qytetit, në të cilat fëmijë, të rinj e prindër të qytetit të Splitit u shkrinë me artistët tanë, për të mësuar sadopak nga magjitë e artit akrobatik shqiptar. Një moment i veçantë ishte stërvitja e përbashkët në ambientet e fondacionit Kam-Hram, ku drejtuesit dhe artistët shkëmbyen eksperiencat dhe përvojat e tyre profesionale. Ky prezantim i parë i cirkut tonë në Kroaci u mbyll me kërkesën e drejtuesit artistik të festivalit Z. Zeljko Hajsok për të qenë pjesë e festivalit të ardhshëm. Do të kalonin vetëm pak ditë dhe për artistët tanë vjen një tjetër ftesë, këtë radhë nga Sllovenia, ku ata ftoheshin në Festivalin e 12-të Ndërkombëtar të Tetarit të Rrugës që u zhvillua në qytetet Lubjanë dhe Maribor nga data 2 deri më 30 Korrik 2009. Grupi ynë, në datat 3-8 korrik dha tre shfaqje në Lubjanë dhe tre në Maribor. Kishte vite që në shfaqjet e cirkut artistët nuk ishin kthyer në skenë pas debutimit nga duartrokitjet e pambarim të publikut të jashtëzakonshëm, që dinte t’i çmonte vlerat e veçanta që shfaqën artistët shqiptarë. Përveç artistëve pjesëmarrës në Kroaci, këtu programit ju shtuan edhe xhongleri Gentian Dollaku, antipodistja Loreta Lika dhe prestigjatorja e re Daniela Daci. Festivali organizohej nga Teatri Gledalishe Ane Monro dhe drejtori i saj artistik z. Goro Osojnik i entuziazmuar nga suksesi i artistëve tanë mori mbi vete rolin e prezantuesit në shfaqjen finale që u dha në tendën e Cirkut Kanski. Duhet theksuar mikpritja dhe organizimi i jashtëzakonshëm i organizatorëve të festivaleve, të cilët kishin menduar deri në detaje sistemimin dhe mbarëvajtjen e dhjetëra grupeve dhe të mijëra artistëve të ftuar nga shumë kontinente. Edhe nga Sllovenia grupi ynë artistik u largua me përshtypjet më të mira dhe me kërkesën e organizatorëve për të qenë sërish i pranishëm në sezonin e ardhshëm të festivalit.
*Mjeshtër në Cirkun e Tiranës