Citostatikët, pacientët i blejnë pa pullë sigurie

Pacientët pohojnë se citostatikët i blejnë në farmaci pa pullë. Shefi i Onkologjikut thekson se ka urdhëruar që mjekët të mos i përdorin
Mungesën e medikamenteve, të cilat duhet t'i marrin falas, janë të detyruar t'i blejnë në farmaci. Madje, edhe ato që blejnë në farmaci nuk janë aspak të sigurta, pasi shpesh i blejnë pa pullë sigurie dhe pa pullë spitalore, çka do të thotë se janë barna kontrabandë. Por si të mos mjaftonte kjo bëhet fjalë për citostatikët (barna që përdorin për të sëmurët me kancer), të cilat janë të ndaluara me ligj që të tregtohen në farmaci.
Vetë pacientët e pohojnë se kanë blerë citostatikë në farmaci, të cilat janë pa pullë sigurie. Shefi i shërbimit të Onkologjikut, Agim Sallaku, theksoi se ka dhënë urdhër që asnjë mjek nuk duhet të përdorë mbi pacientët citostatikë që nuk kanë pullën e sigurisë, pasi nuk kanë siguri për këto barna.
Pacientët
Si të mos mjaftonin sëmundjet e rënda që kanë mbi kurriz, janë të detyruar të blejnë medikamente, madje edhe të pasigurta. Në korridoret e spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", njëri nga pacientët, i cili kishte blerë citostatik në një farmaci afër spitalit, tregon se barnat nuk kanë asnjë pullë sigurie. "Barnat na kushtuan rreth 100 mijë lekë të vjetra. Të paktën kështu na tha farmacistja, sepse këtu në kuti nuk shënohet asgjë as çmimi, as data e skadencës", - pohon i afërmi i njërit nga pacientët, duke treguar kutinë e medikamentit me emrin Cisplatin-Losung.
Sipas tij, blerja e këtyre barnave po u shkakton jo vetëm shpenzime të mëdha, por ndihen edhe ta pasigurt me këto barna, sepse nuk kanë pullë sigurie dhe as pullë spitalore. "Jemi të detyruar t'i blejmë, sepse nuk kemi rrugë tjetër. Qenka shkruar të vuajmë sëmundje dhe indiferencën e institucioneve për të zgjidhur këto probleme madhore që na shqetësojnë", pohon njëri nga pacientët.
Mjekët
Mjekët nuk duhet të përdorin asnjë medikament mbi pacientët nëse nuk kanë pullën e sigurisë. Kështu u shpreh shefi i Onkologjikut, Agim Sallaku, gjatë një mbledhje që u realizua disa ditë më parë në drejtorinë e QSUT-së, ku ishte e pranishme edhe gazeta. "Ne nuk mund të dimë se çfarë medikamenti është ai nëse nuk ka pullën e sigurisë apo pullën spitalore, ndaj u kam dhënë urdhër mjekëve që të mos i përdorin këto barna mbi pacientët", thekson Sallaku. Megjithatë, sa i takon mungesës së pullës në këto barna, ai pohon se kontrolli i tyre nuk është kompetencë as e shërbimit dhe as e spitalit, pasi ka struktura të tjera që duhet ta bëjnë këtë.
Rritet buxheti për citostatikët, por nuk plotësohen të gjitha nevojat
Këtë vit Drejtoria e QSUT-së për citostatikët ka nënshkruar kontrata për citostatikët më shumë se çdo vit tjetër. Madje, fondi për citostatikët këtë vit është rreth 60% më shumë se vitet e tjera dhe së shpejti pritet që barnat e paketës bazë t'u shkojnë në pavijone. Këtë e ka pohuar drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, i cili thekson se për këtë kategori pacientësh këtë vit do të ketë shpenzime të mëdha.
Buxhetin më të madh për citostatikët, krahasuar me vitet e tjera e ka pohuar edhe vetë shefi i shërbimit të Onkologjikut, Agim Sallaku, gjatë një mbledhje të drejtorisë, por ai shpjegoi se nevojat për këtë kategori pacientësh nuk plotësohen edhe më këtë buxhet dhe se duhet të paktën edhe trefishi i këtij buxheti për të pasur të gjithë citostatikët pacientët.