Shkëmbim zjarri në Yzberish, dy të plagosur

Dy të plagosurit u arrestuan nga specialistët e zyrës së vrasjeve, si autorë të vrasjes së mbetur në tentativë ndaj njëri- tjetrit
Policia arrestoi edhe dy shokët e tyre për bashkëpunim në krim. Ngjarja, pas një grindjeje kur palët ishin në gjendje të dehur
TIRANE- Dy persona mbetën të plagosur mes tyre mbrëmjen e të martës në lagjen Yzberisht të Komunës së Kasharit, në kryeqytet, pas një përplasjeje me armë mes dy grupeve rivale, në një lokal, ndërsa policia arrestoi të plagosurit dhe dy bashkëpunëtorë të tyre.
Ngjarja ndodhi dy netë më parë në rrugën "4 dëshmorët", kur dy të plagosurit Emiliano Boçi dhe Astrit Malaj, ndodheshin në një lokal të lagjes në mbrëmje vonë tek sa po pinin bashkë me shokë të tyre në tavolinat respektive. Të dy personat mësohet se ndodhen në gjendje të rëndë në spitalin ushtarak për shkak të plagëve të rënda të marra nga plumbat e njëri-tjetrit. Në grindje e sipër ata kanë qëlluar mbi njëri- tjetrin me armë zjarri. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy ata mbetën të plagosur rëndë duke marrë, plagë të rënda në trupi.
Të plagosurit janë dërguar në spitalin ushtarak për të marrë mjekimin e duhur. Ndërkaq, mësohet se në përplasjen mes tyre janë përfshirë në konflikt edhe dy miqtë e tyre, përkatësisht Artur Tresa i cili ishte i shoqëruar nga Astrit Malaj, dhe Roland Hoxha, që shoqërohej me Emiliano Boçin.
Ndërkaq në vendin e ngjarjes mbërriti me urgjencë policia e kryeqytetit e cila nisi menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorëve të mundshëm.
Nga hetimet e para të kryera nga specialistët e hetimit të krimit të Zyrës së Vrasjeve, është mësuar se autorë të ngjarjes kanë qenë, Emiliano Boçi dhe Astrit Malaj. Të dy këta persona mësohet se mbanin me vete armë zjarri pistoletë. Policia gjeti dhe administroi në vendin e ngjarjes disa gëzhoja pistolete që i përkisnin dy pistoletave të ndryshme të markës "TT".
Nga hetimet e para të kryera në vendin e ngjarjes dhe nga dëshmitë e marra, policia zbuloi se incidenti kishte ndodhur për shkak se personat kishin qenë në gjendje të dehur dhe kishin nisur të debatonin mes tyre për shkaqe ende të panjohura. Nga deklarimet e dëshmitarëve, pas një grindjeje që mësohet se ka nisur kur personat ishin thuajse të dehur, Boçi dhe Malaj kanë nisur të debatojnë mes tyre dhe të ofendojnë njëri- tjetrin me fjalë dhe batuta fyese.
Në këtë kohë në konflikt dhe përplasje me ta janë përfshirë edhe dy shokët e tyre, përkatësisht Roland Hoxha dhe Astrit Malaj, deri sa një prej tyre ka nxjerrë pistoletën, duke qëlluar në drejtim personit që kishte përballë, çka shkaktoi reagimin e palës tjetër.
Në spitalin ushtarak, policia arrestoi dy të dyshuarit për ngjarjen, duke iu komunikuar atyre akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e rëndë si dhe atë të armëmbajtjes pa leje.
Gjithashtu policia arrestoi edhe dy personat që shoqëronin këta të fundit, përkatësisht Roland Hoxhën dhe Artur Tresën. Këta të fundit pritet të akuzohen për bashkëpunim në krim, si dhe për përkrahje të autorit të krimit.
Të plagosur dhe të arrestuar
Astrit Malaj
Emiliano Boçi
Bashkëpunëtorë të dyshuar
Artur Tresa
Roland Hoxha