E Shtunë, 31 Tetor 2026

City e Corinthians merren vesh për Tevezin

Nga Express më 18 korrik 2011 në ora 12:46


Roberto Mancini ka konfirmuar se Manchester City ka arritur marrëveshje me Corinthiansin për shitjen e Carlos Tevezit.

Përfaqësuesi argjentinas e ka shprehur dëshirën për të lëvizur nga Eastlands, duke insistuar se dëshiron të jetë më afër familjes në Amerikën e Jugut.

City besohet se e ka pranuar një ofertë prej 57 milionë eurosh për ish futbollistin e Manchester United, i cili sezonin që shkoi realizoi 20 gola nga 28 paraqitje në Premierligë.

“Ne kemi marrëveshje me Corinthiansin, por Carlos është ende lojtar i Cityt. Po presim. Për momentin ne jemi në Amerikën e Veriut, në përgatitje dhe po punojmë me djelmosha të tjerë. Do të presim lajme”, tha Mancini për Sky Sports News.

Pasi dy klubet arritën marrëveshjen, tash i takon Tevezit të ulet dhe të bisedojë me klubin brazilian, rreth kushteve që do t’ia ofrojë. Gjatë kësaj jave, gjithçka do të dihet rreth së ardhmes së Tevez, i cili me gjasë do të rikthehet tek klubi ku bëri emër – Corinthians.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›