E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serie A, më e forta në botë

Lorik Cana ndihet i lumtur që e zgjodhi Lazion. Mesfushori kosovar ndihet i privilegjuar që do ta ketë mundësinë të luajë në kampionatin më të fortë në botë. 28-vjeçari e vlerëson Lazion ekip serioz dhe ambicioz, derisa veten e konsideron si lojtar të ashpër, por në aspektin pozitiv. Nga Express më 18 korrik 2011 në ora 12:33

Pasi u bë zyrtarisht lojtar i Lazios, Lorik Cana është prezantuar para mediave italiane. Mesfushori kosovar i ka treguar arsyet se pse vendosi t’i bashkohej klubit Biancocelesti, duke u larguar nga Galatasaray pas vetëm një sezoni.

28-vjeçari ndihet i nderuar që do ta ketë mundësinë të luajë në Serie A, e veçanërisht në Lazio, të cilin e konsideron klub serioz dhe mjaft ambicioz.

“E zgjodha Lazion, sepse luan në kampionatin më të mirë në botë. Është normale për Lazion që të luftojë në të gjitha kompeticionet ku merr pjesë. Gjithçka është e rëndësishme për ne. Ekziston dëshira për të pasur suksese në secilin eveniment. Kemi kualitet, lojtarë të mëdhenj dhe besoj se kemi mundësi të mira”, deklaroi Cana.

Më pas, ish-futbollisti i Paris Saint Germainit, Olympique Marseilles e Sunderlandit, ka folur edhe për veten, për karakteristikat e tij si lojtar.

“Jam i vështirë, i ashpër, e pranoj, por në aspektin pozitiv. Kam qenë gjithmonë kështu, në Francë dhe në Angli. Këtu ka liderë të tjerë, por unë do ta sjell të gjithë mentalitetin dhe eksperiencën, për ta ndihmuar klubin që të rritet”, vazhdoi Cana.

Përfaqësuesi shqiptar nënshkroi kontratë pesëvjeçare me Lazion, ndërsa sipas medieve italiane, pritet të përfitojë rreth 1.8 milion euro në sezon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›