Clark në Hagë: Nuk kam dëgjuar për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së

PRISHTINË, 17 nëntor/ATSH/ Wesley Clark, dëshmitari i fundit i mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçit gjatë dëshmisë së tij sot në Hagë tha se nuk ka dëgjuar për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.
Gjenerali i pensionuar amerikan, përveç përgjigjeve që dha për mbrojtjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, po sot përgjigje iu dha edhe pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Ai tha se nuk dinte shumë për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndonëse kishte parë emrat e tyre, megjithatë nuk i dinte as përgjegjësitë që ata kishin.
Gjenerali, Clark mohoi se ka parë ndonjë dokument, përfshirë edhe komunikatat që pretendohet se janë lëshuar nga UÇK-ja.
“Jo s’kam dëgjuar”, tha ai. Clark u përgjigj edhe në pyetjen e prokurorit, nëse ka pasur dijeni për sulmet e bëra nga UÇK-ja kundër civilëve në verë të vitit 1998.
“Mund të kem dëgjuar nuk kam ndonjë kujtesë konkrete të ndonjë incidenti por më duket si diçka që kam dëgjuar”, tha ai.
Kur u pyet se kush ishin komandantët e UÇK-së që u takuan në Rambuje, Clark tha se nuk e di se kush ishin ata.
“Nuk e di se cilët ishin komandantët e zonave, nëse ishin komandat zonash nuk më kujtohet kush ishin aty, ndoshta Ramush Haradinaj ka qenë nuk më kujtohet”, tha ai.
Prokurori, Matt Halling pyeti dëshmitarin nëse është informuar nga mbrojtja e Thaçit se për çka akuzohen katërshja e UÇK-së, pë çka Clark deklaroi se ‘jo konkretisht’.
“Jo konkretisht”, tha ai.
Prokurori i Specializuar pyeti gjeneralin Clark për marrëveshjen tekniko-ushtarake.
“Millosheviçi nëse do të detyrohej në mënyrë sipërfaqësore do t’i mbante premtimet, por unë nuk isha i kënaqur sepse kishte synim për të sabotuar misionin e NATO-s dhe të rifitonte kontrollin në pjesën më të madhe të Kosovë”, tha ai.
Gjenerali Clark mohoi se ka parë ndonjë dokument, përfshirë edhe komunikatat që pretendohet se janë lëshuar nga UÇK-ja.
Kur Clark u pyet nga avokati i Jakup Krasniqit për deklaratat e bëra nga ai në kohën e luftës, kur kishte lavdëruar UÇK-në dhe kishte folur për kapacitetet e saj, ish-gjenerali amerikan, Wesley Clark e pranoi se ka ekzagjeruar kapacitetet e UÇK-së, duke thënë se komentet kishin për shënjestër Millosheviçin dhe doja të projektoja këtë forcë dhe të nxitonte që ai të dorëzohej.
Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja ka filluar më 15 shtator, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Më pas ka dëshmuar Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje.
Më 22 shtator dëshmoi edhe John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik i gjeneralit Clark në NATO, i cili e përmbylli dëshminë një ditë më vonë. Ndërkaq, më 30 shtator ka filluar dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë Bernard Kouchner, i cili ka mbyllur paraqitjen më 2 tetor.
Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se 14 nëntori shënon përfundimin e fazës së mbrojtjes.
Parashtresat përfundimtare, si dhe deklarimet për ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat, pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.
Në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe e fundit ka qenë në Strasburg.
Ndërsa, më 5 nëntor janë bërë 5 vite prej kur katërshja e UÇK-së ndodhen në paraburgim. Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm.
/KosovaPress//r.e/