E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cliff: Jo, hapjes së pakos së Ahtisaarit

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, deklaroi se vendi i tij përkrah vazhdimin e dialogut teknik me Serbinë, por nuk e mbështet idenë që të hapet Pakoja e Ahtisaarit.

Sipas medieve kosovare ambasadori theksoi se dialogu Kosovë Serbi ka dhënë rezultate. Një arritje shumë e mirë është njohja e vulave doganore të cilat u ndihmojnë shumë kompanive prodhuese në Kosovë, e po ashtu rezultat tjetër është liria e lëvizjes, është shprehur shefi i diplomacisë britanike në Prishtinë.

Cliff bëri të ditur se Qeveria britanike mendon se ka potenciale që të bëhen marrëveshje të tjera. Ne jemi shumë të interesuar se si do të implementohet marrëveshja për integrimin e kufijve dhe gjithashtu çështja e pjesëmarrjes së Kosovës në nivelin rajonal, ka thënë ai.

Ambasadori britanik gjatë fjalës së tij vuri theksin në faktin që Britania nuk dëshiron që pakoja e Ahtisaarit të hapet dhe të përfshijë pikat e tjera. Absolutisht ne nuk dëshirojmë që të shtojmë tema të tjera në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili është vetëm teknik, ka thënë ambasadori britanik Cliff gjatë qëndrimit në Vushtrri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›