E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton: Kina do bindet për të dënuar ambiciet bërthamore të Iranit


Zyrtarë të lartë amerikanë po bëjnë përpjekje diplomatike për ta bindur Kinën që të mbështesë një qëndrim më të ashpër ndaj ambicieve bërthamore të Iranit. Zëvendëspresidneti amerikan, Joe Biden, thotë se ka besim që Kina do ta ndryshojë qëndrimin dhe do të mbështesë vendosjen e sanksioneve të saj. Përpjekja kryesore është lancuar të hënën, gjatë vizitës në Arabinë Saudite të sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton. Zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar që sauditët, të cilët janë ndër furnizuesit kryesorë të Kinës me naftë, mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për ta bindur Pekinin që të mbështesë një regjim më të ashpër sanksionesh ndaj Teheranit. Hillary Clinton ka udhëtuar në shumë vende në mbarë botën, por kjo është vizita e parë në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Ish- zonja e parë e Amerikës duket se ka tërhequr vemendjen e shumë udhëheqësve, por me sauditët nuk është kaq e lehtë, pasi sipas mediave të ndryshme, ata nuk pëlqejnë të rrezikojnë politikisht. Në shumë drejtime, vizita e persidentit Obama në Riad vjet përfundoi pa rezultate dhe ai u kthye duarbosh në Amerikë- vlerësojnë mediat. Washingtonit ende i duhet ndihma e Arabisë Saudite në dy çështje kyçe: atë të Iranit dhe të paqes rajonale me Izraelin. SHBA kërkon që sauditët ta bindin Kinën që të mbështesë sanksionet ndaj Iranit. Washingtoni gjithashtu do që ata t'i japin bekimin politik presidentit palestinez, Mahmoud Abbas teksa ai shqyrton mundësinë e nisjes së negociatave me Izraelin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›