Libia ndalon hyrjen e europianëve në vend
Libia ka reshtur së dhëni viza për qytetarët nga shumë vende të ndryshme të Europës në një kundërpërgjigje për masat që shteti zviceran ka marrë kundër familjes së liderit të vendit, Gaddafi. Sipas diplomatëve të ndryshëm, Libia ka refuzuar personat që vijnë nga zonat Shengen që të hyjnë në tokën e saj, zonë në të cilën bëjnë pjesë 25 shtete. Sipas raporteve të fundit, kjo masë është vënë në zbatim tashmë në aeroportin e Tripolit. Ajo pasoi me një grindje shumë të gjatë që ka nisur me arrestimin e djalit të Muammar Gaddafit dhe nuses së tij nga shteti zviceran në vitin 2008. Akuzat kanë qenë në lidhje me keqtrajtimin e dy vartësve të tyre, por më pas këto akuza ranë. Që nga ai moment Libia ndaloi eksportin e naftës në Zvicër, tërhoqi miliarda dollarë që kishte depozituar në bankat e vendit dhe i hodhi punonjësit zviceranë në Libi të gjithë në gjyq për skadim të vizave apo akuza të tjera. Fundjavën e kaluar, një gazetë libiane raportoi se Zvicra tashmë kishte lëshuar një listë të zezë për mosdhënien e vizës për disa persona, ndër të cilët renditej edhe lideri libian dhe familja e tij. Gazeta e cilëson këtë akt si “shumë të rëndë”. Duket se si kundërpërgjigje e këtyre masave të gjithë personat që vijnë nga vendet e zonës Shengen nuk janë lejuar dje që të hyjnë në Libi dhe kjo masë, sipas disa burimeve, do të vazhdojë edhe ditët në vijim. Ndërkaq, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane e ka cilësuar një veprim të tillë “për të ardhur keq”. Megjithatë, kjo masë nuk ka të ngjarë që të qëndrojë për një kohë të gjatë për shkak të interesave të Libisë.
#