Clinton/ Në Izrael, në 14-vjetorin e vrasjes së kryeministrit Rabin
Një nga ish presidentët amerikanë që u përpoq, por që dështoi në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje përfundimtare të paqes në Lindjen e Mesme, është kthyer përsëri në rajon. Është pikërisht ish presidenti amerikan Bill Clinton që ndodhet për vizitë në Izrael për të përkujtuar 14-vjetorin e vrasjes së kryeministrit Jitzhak Rabin. "Gjatë 14 vjetëve të fundit, nuk ka kaluar javë që nuk kam menduar për Jitzhak Rabinin dhe më ka munguar jashtëzakonisht shumë." Clinton ishte president kur Rabin u vra nga një hebre ortodoks që kundërshtonte politikat e tij për dorëzimin e disa pjesëve të tokës biblike nga Izraeli tek palestinezët në këmbim të paqes. Ish presidenti amerikan mendon shpesh se si do të kishin qenë gjërat nëse Rabin do të kishte qenë gjallë. "Nuk ka kaluar asnjë javë që nuk jam bindur gjithnjë e më shumë se po të mos e kishte humbur jetën gjatë asaj nate të tmerrshme, brenda tre vjetëve ne do të kishim patur një marrëveshje gjithpërfshirëse për paqe në Lindjen e Mesme", citohet të ketë thënë Bill Clinton. Pesë vjet pas vrasjes së rabinit, Clinton bëri një përpjekje të fundit për të arritur marrëveshjen e paqes në takimin e Camp David pranë Washingtonit në vitin 2000. Ai bashkoi kryeministrin izraelit dhe udhëheqësin palestinez Jaser Arafat për dy javë bisedimesh intensive, por takimi dështoi. Dy muaj më vonë, filloi kryengritja e dytë palestineze dhe procesi i paqes përfundoi me një valë dhune. Por edhe tani, 8 vjet pasi është larguar nga detyra, Clinton sërish u bëri thirrje izraelitëve dhe palestinezëve të bëjnë paqe, duke thënë se ata nuk mund ta shmangin të ardhmen e tyre të përbashkët.