Gjermani, i jepet lamtumira e fundit Robert Enke
Në stadiumin e Hanoverit përfundoi ceremonia mortore e portierit të kombëtares gjermane të futbollit, Robert Enke. Dhjetëra mijëra njerëz, tifozë të futbollit, ekipi komplet i kombëtares me trainerin Joachim Löw dhe emra të njihur nga sporti, politika dhe shoqëria morën pjesë në këtë ceremoni. Fjalën e rastit e mbajti presidenti i Federatës gjermane të futbollit, DFB, Theo Zwanziger. Arkivoli me trupin e pajetë të Enkes u nxorr nga stadiumi prej gjashtë bashkëlojtarëve të tij në mesin e tyre edhe futbollisti shqiptar Altin Lala. Varrimi është planifikuar të bëhet nga familja e ngushtë dhe një rreth i vogël miqsh. Robert Enke, i cili prej vitesh vuante nga depresioni, humbi jetën të martën në mbrëmje.