Clinton: Regjimi i Sirisë me qëllim i ka vrarë civilët

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha se ekzistojnë “dëshmi të pakontestueshme” se regjimi i Sirisë “me qëllim i ka vrarë civilët” në fshatin qendror Tremseh.
Ajo ka kërkuar armëpushim të menjëhershëm dhe që vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara të lejohen të hyjnë në këtë hapësirë, derisa ka raporte se 200 njerëz janë vrarë atje.
Në raportin për të dërguarin ndërkombëtar për Sirinë, Kofi Annan, vëzhguesit e OKB-së theksuan se forcat besnike ndaj presidentit Bashar al-Assad kishin përdorë tanke dhe helikopterë, për ta sulmuar fshatin Tremseh.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, tha se ishte “thellë e shokuar” me raportet për vrasjet.
Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, i kërkoi Këshillit të Sigurimit të ndërmarrë “veprime të përbashkëta”, për t’i dhënë fund dhunës në Siri.