E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton mund të kandidohet për presidente më 2016

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, nuk e përjashtoi mundësinë që të kandidohet në zgjedhjet presidenciale pas katër vjetëve, duke thënë se tani s’mund të dijë qartë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Në një intervistë të përbashkët me presidentin Barack Obama për televizionin “CBS”, Clinton është përgjigjur edhe në pyetjen që kishte të bënte me kandidaturën e saj eventuale. “Unë jam ende sekretare e Shtetit dhe kjo nënkupton që e kam të ndaluar madje të dëgjoj këso pyetjesh, por mendoj se as unë, as Obama, nuk e dimë çfarë do të ndodh nesër ose vitin e ardhshëm”, theksoi Clinton.

Sidoqoftë, mediat e kanë interpretuar këtë si një po të butë sa i përket kandidaturës së saj. Derisa në të njëjtën pyetje, presidenti Obama kishte thënë se gazetarët janë të papërmirësueshëm. “Unë para katër ditësh jam inauguruar derisa ju pyesni për zgjedhjet që do të ndodhin pas katër vjetësh”, ishte përgjigjur ai. Derisa duke folur për raportin e tyre, ngase në vitin 2008 ishin kundërshtarë të ashpër të njëri-tjetrit për nominimin për president të demokratëve, Obama dhe Clinton, thanë se janë miq shumë të mirë që punojnë për të mirën e vendit.

Clinton së shpejti do të largohet nga posti i shefes së Departamentit të Shtetit ku do ta zëvendësojë John Kerry. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›