E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cohen, koha për Haleluja



Më 19 shkurt, Leonard Cohen do të interpretojë koncertin e tij të parë në SHBA pas 15 viteve. Paraqitja në New York’s Beacon Theatre do të shënojë ndalesën e fundit të turneut botëror, disi të pamundshëm, të këngëtarit dhe kantautorit kanadez, që ka filluar majin e kaluar në Kanada. 74-vjeçari ka luajtur para audiencave të ngazëllyera në Dublin, Kopenhagë, Bryzh, Bukuresht, Mançester, Oslo, Oklend dhe Lisbonë. Pra, çfarë tani? Çfarë do ta ketë nxitur poetin e vjetër me flokë të thinjura për t’u ballafaquar me tekat e jetës në rrugë?

Pas 42 viteve si personalitet kulti, Kumbari i mërzisë ka një këngë hit për ta promovuar (Natyrisht, është gjithashtu edhe çështja e kompensimit të rreth 5 milionë dollarëve të Cohen-it që ia kishte vjedhur menaxherja dhe e dashura e tij, Kelley Lynch.). E tëra filloi kur në marsin e kaluar, i ndruajturi Jason Castro këndoi këngën “Hallellujah” të Cohen-it në American Idol. Simon Cowell ishte mjaft i impresionuar, siç ishte edhe audienca amerikane që sakaq e dërgoi ‘cover’-in e këngës së njëjtë të vitit 1994 të Jeff Buckley-t në top këngët e iTunes.

Në dhjetor, histeria ‘Hallelujah’ u përhap në Angli, ku 20-vjeçarja Alexandra Burke – fituesja e homologes së Britain's American Idol, X Factor – u ngjit në top këngët e Krishtlindjeve me ‘cover’-in e vet të këngës. Adhuruesit, të neveritur me këngët bombastike, ungjillëzuese të Burke, e pranuan klasiken e Cohen-it dhe lançuan një fushatë interneti të dedikuar për versionin e Buckley-t, duke e shtyrë në vendin e dytë. Suksesi i ‘Hallelujah’ shënoi për herë të parë arritjen e dy versioneve të së njëjtës këngë në dy top vendet në Angli në këto 50 vitet e fundit. Për të mos e tejkaluar, origjinali i Cohen-it, nga albumi i vitit 1984 ‘Various Positions’, e shëtiti korin “Hallelujah” drejt vendit të 36-të, duke e futur Cohen-in, për herë të parë, në top 40 hitet.

Hiti i trefishtë i ‘Hallelujah’, përtej pasurimit të kuletës së Cohen-it, gjithashtu ka demonstruar besnikërinë e egër që kanë adhuruesit për një version të këngës ndaj të tjerave. Dhe nuk ka pak konkurrentë – Leonardcohenfiles.com rendit afërsisht 200 versione të melodisë, nga interpretimet e Michael McDonald, Bob Dylan dhe Willie Nelson, deri te një version instrumental nga tromponisti Chris Botti dhe një nga blues kitaristi nga Nju Jorku, Popa Chubby (i lindur si Ted Horowitz).

Fatkeqësisht, ndryshe nga vet Cohen, origjinali i ‘Hallelujah’ nuk është vjetruar aspak. Sikurse shumica e pop muzikës së viteve tetëdhjetë, është e shoqëruar me sint, bas të ngadalshëm dhe paraqitje të shkëlqyer. Një pjesë e madhe e këngës tingëllon sikur të ishte e mbuluar me petëzim të arit. Ajo çfarë ka aq të fuqishme kjo këngë dhe që e ka garantuar statusin e saj të kultit, shumë përpara popullaritetit të saj të fundit, janë tekstet e Cohen-it – përzierja e tyre brilante e spiritualitetit të Testamentit të Vjetër (‘Hallelujah’ është fjalë hebreje që do të thotë ‘lavdi Zotit’, zakonisht e përdorur në liturgji) dhe dëshirës romantike të botës së vërtetë. “Tani kam dëgjuar se ka ekzistuar një akord sekret me të cilin luante Davidi dhe i lutej Zotit”, - fillon Cohen, për të vazhduar: “Por ti nuk shqetësohesh për muzikë, apo jo?” Pastaj Cohen endet lehtësisht nëpër tregimet e joshjes së Davidit nga Bathseba dhe përuljen e Delilah ndaj Samson-it për të gjetur diçka seksuale, pothuajse të çuditshme: “Besimi yt ishte i fortë, por të nevojiteshin prova, nga çatia e pe duke u larë, bukuria e saj dhe drita e hënës të rrëzuan përtokë, ajo të lidhi për karrige të kuzhinës, e theu fronin tënd dhe t’i preu flokët, dhe prej buzëve tua nxori Hallelujah”.

Janë vargjet si këto që i kanë ndihmuar Cohen-it të transformohet në një prej poetëve të vërtetë në muzikën popullore dhe në njëfarë mistiku modern – një profet për botën laike.

Incizimi që e filloi tërë valën e cover-ëve të 15 deri 20 viteve të fundit është versioni i John Cale (bashkëthemelues i Velvet Underground) që u paraqit në albumin dedikues për Cohen-in në vitin 1991 “I’m Your Fan”. Në të, Cale ka kombinuar dy vargjet hyrëse të origjinalit të vitit 1984 – të prera nga fundi i shpenguar i Cohen-it – me kthesë të vargjeve të reja që Cohen i ka shtuar gjatë performancës live në vitin 1988. (Cohen pohon të ketë shkruar 80 vargje për ‘Hallelujah’ gjatë një periudhe më shumë se dyvjeçare.) Tekstet më të reja dhe më të zymta të Cohen-it janë fokusuar pothuajse ekskluzivisht në marrëdhënien fatkeqe dhe dëshirën seksuale që qëndrojnë të fshehura vetëm nën sipërfaqen e origjinalit. Kur Cale i kombinoi ato me krehjet e Cohen-it mbi David-in dhe Delilah, ai krijoi një njësi më perfekte të nxjerrë prej martesës demoralizuese të hyjnores dhe humbjes të Cohen-it.

Është kjo që e frymëzoi Jeff Buckley-n tre vite më vonë për të incizuar këngën – të cilën ai e ka përshkruar si një homazh të ‘Halelujës së orgazmit’ – për albumin e tij debutues ‘Grace’. Buckley mund të jetë ‘Haleluja’ kanonik dhe është gjithashtu më e mira, për dy arsye: 1) E shtyn intimitetin dhe patosin në versionin e Cale-it drejt kufijve pa u katandisur në limonadë. Dhe 2) Backley e përdor kitarën e tij virtuoze – duke luajtur pa na hutuar nga magjia e fjalëve të Cohen-it.

"Hallelujah" është përjetësisht e hapur ndaj interpretimeve. Ajo do të mbesë si një tundim i parezistueshëm për artistët rreth e rrotull botës – na pëlqeu ne apo jo.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›