E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unioni: Fushatë spekulimesh denigruese ndaj gjyqtarit Ardian Nuni



Deklarata: Klima që i parapriu dhe motivoi aktin kriminal të tentativës së vrasjes së të nderuarit gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Reagimi i Nunit: Policisë dhe Prokurorisë nuk i është mohuar bashkëpunimi

Unioni i Gjyqtarëve ka reaguar ndaj asaj që e ka cilësuar një fushatë spekulimesh denigruese për ngjarjen e plagosjes së rëndë të gjyqtarit Ardian Nuni. Përmes një deklarate për mediat, Unioni i Gjyqtarëve shpreh keqardhjen e thellë dhe indinjatën legjitime që klima që i parapriu dhe motivoi aktin kriminal të tentativës së vrasjes së të nderuarit gjyqtar i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, madje duke u cilësuar se “vazhdon të endet ndjellakeqe dhe ogurzezë në jetën e përditshme të opinionit shoqëror”. Sipas Unionit, kjo ngjarje kriminale nuk ishte e para ndaj shërbëtorëve të drejtësisë, por ishte më e rralla dhe më shqetësuesja për nivelin që godiste. “Nëse janë të vërteta ato që emetohen çdo ditë në media dhe që kanë burimin që citohet, të tilla si “gjyqtari refuzon të bashkëpunojë” apo “gjyqtari nuk jep celularin”, këto janë jo vetëm fyerje të opinionit publik, në përgjithësi dhe komunitetit gjyqësor, në veçanti, por të bëjnë të besosh që krimi vazhdon”, - thekson deklarata e gjyqtareve. Sipas Unionit të Gjyqtarëve, askush, as policia dhe as prokuroria, nuk mund ta fshehë paaftësinë për hetimin dhe zbulimin e kësaj ngjarjeje kriminale, pas spekulimeve denigruese të kësaj natyre. “Është fatale për shoqërinë dhe aspiratën e shtetit të së drejtës që deri tani më tepër është folur për viktimën se për kriminelin, a thua se ky i fundit nuk ka asnjë faj. Ndaj Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, në përbërje të të cilit është edhe gjyqtari i nderuar Ardian Nuni, i bën thirrje opinionit publik që së bashku t’i thonë jo me forcë dhe ta ndalojnë këtë fushatë spekulimi dhe denigrimi të paprinciptë dhe vrastare”, - përfundon deklarata e Unionit të Gjyqtarëve.

Reagimi

Dy ditë më parë, burime të afërta pranë gjyqtarit Nuni deklaruan se atentati ndaj tij nuk ka ndodhur për motive personale, siç është deklaruar gjatë këtyre ditëve pas ngjarjes. Madje, anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, nuk e ka mohuar në asnjë moment bashkëpunimin e policisë apo organit të akuzës. Sipas po të njëjtave burime pranë gjyqtarit, bëhet e ditur për gazetën se i dëmtuari është habitur kur ka dëgjuar përmes mediave të ndryshme se nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë apo prokurorët për zbardhjen e atentatit të disa ditëve më parë kundër tij. Madje, ai rrëzon edhe deklarimet se ka përjashtuar si pistë plagosjen për shkak të detyrës, duke u shprehur, por sipas të njëjtave burime, se “bashkëpunimi me policinë dhe akuzën ka ndodhur që në momentet e para pas ngjarjes. Prokurorit të çështjes i është rrëfyer me detaje si ka ndodhur ngjarja, ndonëse kontakti i parë ka qenë menjëherë pas atentatit në ambientet e spitalit”. Po sipas burimeve të afërta pranë gjyqtarit Nuni, asnjëherë gjatë kontakteve me grupin hetimor, i dëmtuari nuk ka përjashtuar apo hedhur pista për të nxjerrë autorin. “Nuk mund të deklarohet se gjyqtari Nuni është plagosur për çështje personale, ndërkohë që çështja është nën hetim dhe nuk ka një pistë konkrete ku po hetohet nga organi i akuzës. Sipas të dhënave që kemi, po hetohet në të gjitha pistat e mundshme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje”, - përfunduan po të njëjtat burime.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›