Fullani: Korça, rajon me potencial për zhvillimin ekonomik
Gjatë qëndrimit të tij në Korçë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, u ndal në Bashkinë e Korçës, ku u takua me kryetarin z. Niko Peleshi, si dhe me përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit. Ndër të tjera, z. Fullani u shpreh se Korça është një rajon i rëndësishëm dhe me potencial për zhvillimin ekonomik të vendit. Takimi më pas ka vijuar me fjalën e kryetarit të Bashkisë së Korçës dhe të kryetarit të Dhomës së Tregtisë, z. Ilir Selenica, të cilët kanë diskutuar hapur për projektet e mundshme dhe potencialet që ofron ky rajon në zhvillimin ekonomik të vendit. Takimi me mësues dhe nxënës të shkollës së mesme “Raqi Qirinxhi” në Korçë dhe “Fuat Babani” në Bilisht, ishte një tjetër iniciativë e ndërmarrë gjatë këtij takimi rajonal. Z. Fullani njohu nxënësit dhe stafin pedagogjik të këtyre shkollave me projektet e Bankës së Shqipërisë në drejtim të trajnimit të mësuesve si dhe të zhvillimit të konkursit “Vlera e vërtetë e parasë”. Z. Fullani u shpreh se për Bankën e Shqipërisë edukimi nuk ka çmim e pikërisht për këtë arsye kemi vendosur që edhe këtë iniciativë të radhës të Bankës së Shqipërisë ta emërtojmë në këtë mënyrë. Ashtu si në aktivitete të tjera të këtij lloji, takimi ka përfunduar në formën e një bashkëbisedimi të lirë me nxënësit, lidhur me përgjegjësitë dhe objektivat kryesorë të Bankës së Shqipërisë.