Çoi në SPAK Autoritetin e Dosjeve, Meta: Përfshinë qëllimisht emrin tim! Prodhuan gjeneralitete të rreme për qëllime politike

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat , ka sqaruar padinë e ngritur prej tij ndaj Autoritetit të Dosjeve. Sipas Metës, anëtarët e Autoritetit të Dosjeve kanë përfshirë qëllimisht emrin e tij në dosje duke mos patur asnjë provë dhe duke prodhuar gjeneralitete të rreme me qëllime politike.
Kreu i PL tha se anëtarët e këtij Autoriteti kanë konsumuar të paktën 6 vepra penale, duke i akuzuar për shpërdorim “të pastër” të funksionit publik, me pasoja të rënda në besimin e publikut.
“Autoriteti i Dosjeve ka hetuar pa patur asnjë dokument apo fakt që më lidh si bashkëpunëtor i favorizuar apo i prekur nga Sigurimi i Shtetit. Pjesë e kësaj skeme mafioze ishte edhe Kuvendi i Shqipërisë. Kuvendi në mënyrë të përsëritur përfshihet në skenarë për të destabilizuar vendin. Publikimi i shkresës së Autoritetit të Dosjeve është bërë ndërsa ajo përmendte të dhëna të padeklasifikuar. Duhet marrë në konsideratë se dosja është deklasifikuar 3 ditë pasi ishin publikuar të dhënat e klasifikuara. Kam kërkuar hetim objektiv të plotë. Anëtarët e Autoritetit të Dosjeve janë kthyer në vegla për të kryer një sulm të shëmtuar politik. Është e lehtë për të falsifikuar, hiq një emër e vër një emër tjetër. Kanë bërë falsifikime kudo ku pas emrit I.M kanë shtuar studenti Ilir Metaj. Një falsifikim flagrant dhe kriminal. Autoriteti e di shumë mirë që I.M ka patur një dosje të plotë si bashkëpunëtor dhe ato iniciale nuk kanë asnjë lidhje me Ilir Rexhep Metaj. Duhet të mbajnë përgjegjësi sepse janë bërë pjesë e një manipulimi”, tha Meta.
Teksa e konsideroi Autoritetin e Dosjeve “aneks të qeverisë”, Meta tha se falsifikimet që ai pretendon se kanë ndodhur, janë bërë në kohën që ka qenë president.
“Qeveria e bashkia mbajnë përgjegjësi për panikun e madh që kanë përhapur. Ky manipulim ka ndodhur kur kam qenë president. Të gjithë e kanë kuptuar që Autoriteti është një aneks i qeverisë. Po ashtu u bë në kohën që do kthehesha në politikë dhe është. Është një nder për mua sepse e shkuara ime është borë e bardhë. Mendoni që këta merren me çfarë ka ndodhur përpara 30 vitesh, imagjinoni çfarë bëjnë sot me të drejtat e njeriut”, deklaroi Meta.
Sikurse kishte paralajmëruar, Meta depozitoi këtë të enjte në SPAK dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimin penal ndaj Autoriteti të Dosjeve. Ai e akuzon Autoritetin për falsifikim të dokumenteve shtetërore, falsifikim kompjuterik, falsifikim të vulave, stampave, për shpërdorim detyre, për përhapje të informatave të rreme që ngjallin panik dhe zbulim të të dhënave sekrete.
/rtsh.al/