E Shtunë, 31 Tetor 2026

Copërat e një pranvere jo shqiptare

20130521110414koloismaillulaniushtriepopull1972Përmendet shpesh fraza e Montanelit, do votojmë me hundën mbyllur. Gënjejmë veten. Atë frazë e kemi kaluar që më 2005. Tani jemi Nazimet që votojmë për Fiqirinjtë, dhe marrim nga 4 vjet dënime të njëpasnjëshme.

Nga Koloreto Cukali*

Para shumë muajsh, nuk e di pse, isha në pritje të një pranvere shqiptare. Jo pranverë të vërtetë, me heronj e me barrikada, por një diçka rizgjuese. Nuk ka. Nuk ka për të patur. Është shumë e vështirë të zëvendësosh një pranverë shqiptare me çfarëdo procesi tjetër zhvillimi. Ndoshta jemi në këtë pikë të dëshpëruar sepse nuk patëm një revolucion të vërtetë në vitin 90. Patëm një inat të verbër me një bust, dhe kaq. Ama, atij busti i punuam qindin, por na ranë shpejt nervat. Bishtpëllumbsat që e tërhoqën zvarrë bustin kushedi ku heqin zvarrë ditët të bërë çyryk nga shiringat gjermane. Ndoshta në 90 na duhej një revolucion i vërtetë dhe jo një hapje me anë të pardesyve të bardha. Dhe skam kujt tia vë fajin. Ramizi iku pa treguar asgjë, dhe iku madje me të shtëna topi.

Kanë dënuar me 10 vjet Nazimen. Simbolin e vajzave të vogla të dhunuara. Në fotot e gjyqit, mbase është përshtypja ime personale, por ishte e vetmja qenie me fytyrë të butë në sallë. Punonjësit e sistemit tonë gjyqësor, publiku e policët kanë adaptuar pamje egërsie, në pamundësi për të na dhënë një sistem të rreptë por të drejtë. Fytyrat e tyre janë të vrazhda, në pamundësi për të qenë të drejta. Nazimja e vetmja fytyrë njerëzore në ato foto. 10 vjet për të. Dhe dëgjova që qenkemi ndarë mirë se mund të hante më shumë.

Duke gjykuar nga fytyrat në dritaret e autobusit, shkruan Lubonja, më shumë se autobus i rilindjes (…me të vogël! Me të vogël! Nuk kam për ta shkruar kurrë me të madhe rilindjen e 1 prillit) ai është autobus i konfliktit të interesit. Pak ditë më parë, një blogiste thuajse i lutej Lubonjës që të bënte diçka alla Beppe Grillo (!!). Nuk mund të ketë dëshpërim më të madh se kaq. Përmendet shpesh fraza e Montanelit, do votojmë me hundën mbyllur. Gënjejmë veten. Atë frazë e kemi kaluar që më 2005. Tani jemi Nazimet që votojmë për Fiqirinjtë, dhe marrim nga 4 vjet dënime të njëpasnjëshme.

Kanë vënë një bust të Sabri Godos diku. Nëse Godo do meritonte një bust, do ishte sepse ka shkruar Skënderbeun dhe Ali Pashë Tepelenën. Këta libra, pa ekzagjerim, dikur i kam lexuar me 10-ra herë. Kryetari part time i Tiranës e cilësoi si politikani që…. Godo – të më falë familja – nuk mund të ketë një bust si politikan. E vetmja vepër e tij politike (pa folur që na la në derë Mediun) do të kishte qenë kushtetuta dhe ata që e ndërtuan mund të kishin qenë etërit e kombit. Por, të njëjtët që i ngritën bustin ishin ata që ia hoqën mundësinë të hynte në histori si një nga etërit e kombit. Kushtetuta e tij u përdor si zhele nga 2 vetë, dhe të tërë dhanë nga një dorë. Kushtetuta nuk u gdhend në gur, po u shkruajt në rërë. Ska më etër, edhe pse ka buste. Kushtetuta, e vetmja vepër e tij, nuk i thotë askujt, asgjë.

Argëtimi më i madh këto kohë janë llogaritë elektorale. Të gjithë, edhe ata me akses në informacione të brendshme edhe me ata në akses vetëm në tituj gazetash, bisedën më të përzemërt kanë atë të llogarive elektorale. Kaq këta, aq ata. Ky mandat, ai mandat. Del 8 me 3 apo 7 me 6. Shpirti ynë prej bixhozxhiu e tejkalon atë prej qytetari. Nëse kemi patur ndonjëherë shpirt qytetari. LSI-ja e ka marrë tashmë legjitimitetin e të qenit opozitë dhe rilindje njëkohësisht, dhe kurioziteti ynë është te mandatet. Mandatet, alias, lepujt.

Njoh njerëz që janë shumë të bindur që PD dhe Berisha na kanë ndërtuar rrugë, na hoqën vizat e na futën në NATO. E besojnë realisht. Nuk shtiren. Jemi një komb i mpirë. Edhe ata që nuk marrin drogë marrin shumë rrezatim tv. Blogjet të mbushura me shqiptarë të verbër që vetëm presin dhunshëm sa majtas-djathtas. E vërteta është një elefant i madh në dhomë.

Nuk kanë për ta vënë kurrë bustin e Lirak Bejkos. Nuk e vënë as ata që po ikin e as ata që po vijnë. Heronjtë e vërtetë sot nuk kanë buste. Kanë pirgje me gurë. Ne duhej të kishim vënë të tërë nga një gur aty ku u dogj ai.Ne kush? është pyetja që më dhemb.

Rama nuk hap telefonin. Ashtu e mendon ai bashkëpunimin. Sa të firmosësh, pastaj… shhhht, kam punë të tjera. Më kujtohen bisedat e Ngjelës me Pollon në 2005-n (sdi se kush i rrëfente në një libër) që në mitingjet e aleatëve të lumtur e të barabartë, shihnin gjithmonë para vetes shpinën e Mediut. Trenisti, nxirrte te lokomotiva të preferuarin e tij. Kur treni është nisur, nuk mund të kërcënosh njeri se do hidhesh nga dritarja. Edhe po u hodhe, nuk të sheh njeri.

Prej vitesh numëroj xixëllonjat në maj. Dhe çdo vit, pakësohen. Në rrugicën time kam parë vetëm njëckë këtë vit. Nja 2-3 vjet. Kishte me qindra para 10 vitesh. Efekti i çimentos. Shoh pallate të ngritura me ngut, para se të bëhen zgjedhjet. Me letra, mund të jenë të tërë në rregull. Por mbrapshtinë urbanistike të tyre nuk mund ta justifikojë asnjë letër.

Katedrale e xhami betoni që i bëjnë karshillëk njëra tjetrës. Kush ta ngrejë më të lartë, kush të derdhë më shumë beton. Xixëllonjat dinë më shumë. Mostra të një zelli fetar në një vend të mbushur me paganë e të pabesë. Godzilla që kanë zënë hapësira publike në emër të tolerancës fetare.

Koço Kokëdhima në TV, që deklaron se nuk i ka askujt borxhe. Që e thërret Saliun doktor.

Skënder Tufa, i rrethuar me policë kudo që shkon, sepse është public enemy i vërtetë e i vetëm. E ruajnë se ai godet me vezë Kryeministrin.

Është maj. Në netët e verës, sidomos vonë, kur makinat janë rralluar, vërtet nuk ndjehet aromë lulesh por ka një lloj gëzimi e jete në ajër. Shoh njerëzit që mbyllin dyqanet, për të shkuar në familjet e tyre. Biseda të gjalla në trotuar. Ka biçikleta. Ka miq që mblidhen për një birrë. Ka djem që mbështeten pas murit e flasin për sportin e për femrat. Ka të qeshura me zë të lartë. Sepse, është verë. Njerëz të thjeshtë, që përpiqen të bëjnë sikur jetojnë në një vend normal. Njerëz që as dinë, e as kanë si korruptohen, që paguajnë taksat, që kanë një ëndërr të vogël, e kujdesen për fëmijët e tyre. Doja para ca muajsh që në një kohë si kjo, ti shkruaja një letër të hapur (që sigurisht as e merr mundimin ti lexojë) Edi Ramës. Një letër ku ti bëja vetëm një pyetje. Çfarë do tu ofrojë këtyre? Dakord, kishte diçka për ti ofruar dhe Kokëdhimës. Po këtyre njerëzve? Këtyre që nuk korruptohen?? ÇFARË DO TU OFROSH KËTYRE NJERËZVE?

Kush i vë bustet në këtë qytet? Kush e hedh idenë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›