Cosa Nostra, ja si u arrestua pasardhësi i Provenzanos
Pasardhësi i Provenzanos, Lo Pikolo kërkonte kontrollin e gjithë ishullit të Sicilisë
Lo Pikolo, i tradhtuar prej ambicies së pafre
Ambicia e hapur është gjë e rrezikshme për një mafioz. Për vite me radhë, Salvatore Lo Pikolo ia kishte dalë mbanë të fshihte aspiratat e tij më të mëdha teksa ngjitej në rang, nga një ushtar besnik në nivelet më të larta të hierarkisë së mafies. I lindur në Palermo, dukej se dinte gjithmonë se si të bëhej pjesë e krahut fitues në grindjet e brendshme, një dhunti kjo që më pas e shpërbleu dhe e bëri bosin e madh të kryeqytetit të Sicilisë. Por, Lo Pikolo donte më shumë: kontroll mbi të gjithë ishullin e Siçilisë, bashkëpunim të zgjeruar me gangsterët në Amerikë, e madje edhe titullin Capo dei capi (bosi i bosëve). Kjo ambicie do të sillte dhe fundin e tij. Së bashku me të birin, Sandro, 32 vjeç, të cilin e kishte përgatitur me kujdes si pasardhës të tij, Lo Pikolo u arrestua më 5 nëntor 2007, pas më shumë se dy dekadash në arrati. I dënuar në mungesë për disa akuza për vrasje, Lo Pikolo u dërgua në një burg, për të cilin nuk u dha asnjë informacion në Itali, ashtu si edhe i biri, që gjithashtu ishte i dënuar për vrasje. Kapja e tyre ka ardhur pas arrestimit në prill të vitit 2006 të Bernardo Provenzanos, bosi i gjithëpushtetshëm i mafies, i cili u kishte shpëtuar autoriteteve për 43 vjet me radhë dhe që tani është duke kryer dënimin me burgim të përjetshëm për vrasje. Të marra së bashku, këto arrestime janë një goditje e madhe për mafien.
Cosa Nostra vazhdon të jetojë
Por kjo organizatë tip hidre, e njohur gjithashtu si Cosa Nostra, është kaq shumë e ndërthurur në pëlhurën e shoqërisë siçiliane, saqë shteti italian është shumë larg shpalljes së fitores përfundimtare. Cosa Nostra është e ndërtuar mbi aftësinë për tu përshtatur sipas kohës dhe situatës, për tu maskuar dhe për të ngritur kokën vetëm atëherë kur është e nevojshme, thotë një hetues me punë në Palermo, i cili ka punuar me çështjen Lo Pikolo. Arrestimi i Lo Pikolos vështirë se e çrrënjos organizatën. Giuseppe Lumia, një pjesëtar i Komisionit antimafia në Parlamentin italian, e quan mafien një forcë në lëvizje, në tranzicion. Ai thotë se bosët e mbetur mund të bëjnë të pamundurën për të gëlltitur arrestimet dhe për të vazhduar strategjinë e Provenzanos, të ruajtjes së paqes brenda organizatës. Nga ana tjetër, Lumia paralajmëron se disa prej krerëve mund të ndihen të detyruar që të vendosin lidershipin e ri përmes përdorimit të forcës. Bosi që ka ndoshta shanset më të mëdha për të zgjeruar pushtetin e tij në të gjithë Siçilinë në një mënyrë apo një tjetër është Matteo Messina Denaro, 47 vjeç, nga qyteti i Trapanit, në bregun perëndimor. Duke pasur parasysh supremacinë historike të Palermos, kjo mund të shënojë një kthesë ose thjesht një tjetër fazë në serinë e pafundme të adaptimeve kreative të mafies.
Mafia siçiliane
Mafia siçiliane, e krijuar në mesin e shekullit 19, si njëlloj ledhi mbrojtës në Palermo, është shablloni për tu kopjuar në rrjetin modern të krimit të organizuar. Megjithatë, suksesi i saj i ka themelet në paradoks. Cosa Nostra është një konglomerat shumëkombësh me qendër në Siçili, një organizatë që ushqehet me dhunë e që megjithatë grumbullon pushtet vetëm kur ruan paqen e brendshme. Është një shoqatë burrash ndonjëherë burra me influencë dhe karizëm të jashtëzakonshme. E marrë bashkë me sindikata të tjera të krimit përgjatë jugut të Italisë, duke përfshirë Ndragheta në Kalabri dhe Kamorra përreth Napolit, mafia është jo vetëm vrastare, por edhe një pengesë e madhe në zhvillimin ekonomik të Italisë. Një raport i kohëve të fundit i shoqatës së bizneseve të vogla Confesercenti vlerësonte se krimi i organizuar zë 7% të GDP-së së Italisë, më shumë se çdo kompani tjetër gjigante, e madje edhe se gjiganti energjetik ENI. Mafia siciliane është një prej shumëkombësheve origjinale të Italisë, pasi ka bërë partneritet me kushërinjtë e vet italo-amerikanë si dhe gangsterë të çdo lloji nëpër botë, për qëllime të trafikut të drogës dhe armëve, pastrimit të parave si dhe nxitjes së biznesit të tyre të paligjshëm ndërkufitar.
Lidhjet me SHBA-në
Autoritetet italiane thonë se Lo Pikolo po punonte fort për të rindërtuar këto lidhje transatlantike, të cilat ishin ndërprerë në vitet tetëdhjetë, për shkak të hetimeve në SHBA, si dhe luftërave të brendshme në Siçili. Ai kishte lejuar pjesëtarë të një familjeje historike mafioze, Inzirello, që të rikthehen në Palermo. Ata kishin qenë të detyruar të qëndronin në mërgim në SHBA për më shumë se dy dekada, pasi ish-bosi i bosëve, Toto Riina, ishte përpjekur ti shfaroste të gjithë si klan. Piero Angeloni, kreu i njësisë së detektivëve në policinë e Palermos, thotë se arrestimi i Lo Pikolos ka gjasa që të ndalë përpjekjet e siçilianëve për të thelluar lidhjet me amerikanët. Por kontaktet do të vazhdojnë. Kjo marrëdhënie është esenciale kështu ka qenë gjithmonë, thotë Angeloni. Përpara se të arrestohej vitin e kaluar, Provenzano kishte qenë për një dekadë i arratisuri më i kërkuar në Itali. Ai ishte kaq shumë i sigurt për pozicionin e tij si lider pa rivalë i mafies, sa që mund të kufizonte në maksimum lëvizjet; vendndodhja e tij u verifikua vetëm kur disa policë e pikasën tek nxori dorën nga një kasolle ferme për të marrë një pako. Ndryshe nga ai, thotë Angeloni, ambicia e Lo Pikolos e bëri këtë më të ekspozuar për tu kapur, gjë që ndodhi kur ai dhe i biri u shfaqën në një mbledhje mafiozësh me një makinë Toyota Yaris, në një shtëpi fshati në perëndim të Palermos. Lo Pikolot ishin ende në fazën e pushtimit të territoreve, gjë që kërkonte që ata të kishin vazhdimisht kontakte, që të ishin vetë të pranishëm nëpër to, shpjegon Angeloni. Prej një kohe të gjatë, në Sicili, konkurrenca për territore ka ekzistuar vetëm mes mafiozëve të etur për pushtet. Kohët e fundit, edhe shteti ka treguar se ka ambicie të mëdha, por një gjë është e sigurt: beteja do të vazhdojë.
****************
Rrethimi, sulmi dhe dorëzimi i Salvatore dhe Sandro Lo Pikolo, ja si u arrestua pasardhësi i Provencanos
Policia italiane ka arritur të shtijë në dorë në një vilë të Palermitanos bosët Salvatore e Sandro Lo Pikolo, bashkë me dy eksponentë të tjerë të mafies, Gaspare Pulici e Andrea Adamo. Që të katërt gjendeshin në listën e 30 njerëzve më të kërkuar nga autoritetet ligjore të vendit fqinj. Në mënyrë të veçantë Salvatore Lo Pikolo, i hedhur në fshehtësi që nga viti 1983, i cili mendohet edhe si kreu i Cosa Nostra-s palermitane. Sipas autoriteteve italiane, pas arrestimit të bosit Bernardo Provencano, ishte pikërisht Lo Pikolo ai që kishte marrë në dorë frerët e kësaj organizate kriminale, megjithëse i duhej të përballonte edhe presionin e fortë të Mateo Mesina Denaros, një tjetër eksponent i mafies, i cili prej kohësh kërkon të marrë statusin e bosit të padiskutueshëm. Konfirmimi i lajmit erdhi nga prokurori kombëtar i antimafies, Piero Graso: Salvatore Lo Pikolo deklaroi Graso për mediat në këtë çast ishte i vetmi që kishte aq pushtet në dorë sa të trashëgonte statusin e Provencanos, duke u vendosur kështu në krye të mafies palermitane, me qëllim shtënien në dorë të kreut të të gjithë organizatës. Edhe dy krerët e tjerë të lartë të Mafies të arrestuar gjatë operacionit, Andrea Adamo e Gaspare Pulici, vlerësohen nga autoritetet si bosë të rangut të parë.
Operacioni
Në operacionin për arrestimin e katër bosëve u përfshinë rreth 40 policë të seksionit Catturandi. Pasi kishin rrethuar vilën, në garazhin e së cilës katër mafiozët po zhvillonin një mbledhje, u detyruan edhe të përdornin armët. Pikasja e vilës u bë e mundur falë ndjekjes së dy njerë