E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë po ndodh me FRD, a po shkon Topi drejt bashkimit me Bashën?

Heshtja e gjatë e Bamir Topit pas zgjedhjeve. Takimet sekrete me Lulzim Bashën. Cili është roli i Berishës në këtë ribashkim dhe një deklaratë e Topit para 23 qershorit për bashkëpunimin me PD-në.

Topi BashaPas zgjedhjeve të 23 qershorit, lideri i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, në një dalje televizive deklaroi se partia e tij e pranonte rezultatin e zgjedhjeve. Një deklaratë qytetare kjo e Topit, duke patur parasysh se nuk sulmoi askënd për vjedhje të votave të FRD. E megjithatë kjo parti, edhe pse pati pritshmëri të larta, arriti të merrte 30 mijë vota, e penalizuar rëndë nga kodi aktual zgjedhor. Në një dalje tjetër në fillim të gushtit, Topi deklaroi se FRD do të vazhdonte aktivitetin e saj politik në shtator dhe se do të kishte surpriza. Dhe kaq. Gjatë gjithë muajit gusht Bamir Topi nuk u pa më skenën politike të ditës. Nga partia e tij as edhe një deklaratë e vetme për shtyp për ngjarjet e ditës. Por edhe pse në publik, FRD duket se kishte marrë pushimet e gjata të gushtit, në prapaskenë Topi larg syrit të mediave punonte për të ardhmen e FRD-së.

Takimet me Bashën

Në javën e parë të gushtit Bamir Topi takoi në një restorant të Tiranës kryetarin e ri të Partisë Demokratike, Lulzim Bashën. Edhe pse takimi ishte tejet i rezervuar, burime nga Partia Demokratike deklaruan për gazetën se në atë takim u hodhën bazat për një bashkëpunim mes FRD dhe PD-së, tashmë të dyja në opozitë. Por ky nuk ishte takimi i vetëm mes Topit dhe Bashës. Mësohet se ata janë takuar edhe disa herë të tjera për të përcaktuar edhe më qartë bashkëpunimin mes tyre. Se cili ka qenë produkti final i këtyre takimeve, askush nuk është në gjendje të japë një parashikim. Pasi dijeni për takimet mes Bashës dhe Topit kanë pasur vetëm pak figura në PD dhe tek FRD, të tjerët janë lënë jashtë informacionit se çfarë ka ndodhur realisht në këto takime.

Basha-Topi

Mes Bamir Topit dhe Lulzim Bashës ka pasur gjithmonë një respekt reciprok. Kryetari aktual i PD-së nuk e ka sulmuar kurrë Topin publikisht, madje as atëherë kur për ngjarjet e 21 Janarit e gjithë PD nxorri arsenalin e akuzave ndaj Topit. Madje as kur në PD u ngrit farsa se në zgjedhjet vendore të 2011, Presidenti Topi votoi për Edi Ramën. Dhe e anasjelltas, Topi nuk e ka akuzuar kurrë Bashën publikisht. Në shënjestër të Topit kanë qenë gjithmonë dyshja Berisha-Topalli. Por tani gjërat kanë ndryshuar. E ndërsa Berisha ka dhënë dorëheqjen nga PD, Topalli po e shikon veten të përjashtuar nga postet drejtuese të PD-së së ardhshme.

Roli i Berishës

Ky afrim i Bashës me Topin ka marrë edhe bekimin e liderit historik të PD-së, Sali Berishës. Ky i fundit duke parë rezultatin e thellë të humbjes më 23 qershor, ka kuptuar që e djathta për të ardhur në pushtet i duhet të bashkohet e tëra,  në këtë mënyrë të lërë mënjanë mëritë me Topin për hir të fitores të së djathtës. Madje edhe para zgjedhjeve të 23 qershorit, në mënyrë indirekte Berisha i pati bërë ftesë të gjithë spektrit të djathtë të bashkohej me PD-në, por në atë kohë Topi refuzoi çdo lloj ftese duke dalë i vetëm në zgjedhje. Një gjest fisnik ky, por për shkak të kodit solli një rezultat të dobët për FRD-në.

Deklarata e Topit për një bashkëpunim me PD

I pyetur disa ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit se a do të bashkëpunonte me PD-në në të ardhmen, Bamir Topi dha një përgjigje diplomatike, duke lënë të hapur bashkëpunimin, me kushtin që në krye të PD-së të mos ishte Berisha. I pyetur emisionin Top Story nga gazetari Sokol Balla nëse do bashkëpunonte me PD-në pa Berishën, Topi u përgjigj kështu: Sigurisht ne jemi një parti e qendrës së djathtë. Ne kemi parim shumë të fortë. Pra, në rast se ka një parti politike që i ka qëndruar gjatë gjithë kësaj periudhe vlerave dhe parimeve të qendrës së djathtë, jemi ne. Dhe në rast se do të bëjmë një analizë, mund të japim shembuj pa fund edhe në sjelljen time institucionale unë i kam respektuar këto parime. Më është dashur që si President i Republikës të jem President i të gjithëve, por në disa zgjedhje të caktuara kam qenë shumë sensibël. Pra, një aleancë me PD-në pa Sali Berishën? Në rast se situata politike do të vijë në funksion të një baraspeshimi të vendimmarrjeve midis partive politike. Pa dyshim pa këtë personazh problematik të tranzicionit, absolutisht.

 

Bashkimi FRD-PD, kthim në shtëpi për Topin, Oketën dhe Biberaj

Që pas takimit të Topit me Bashën, në të dyja partitë janë forcuar edhe më tepër zërat për një shkrirje të mundshme të FRD-së, duke u bashkuar me partinë mëmë. E në rast se kjo do të ndodhë atëherë për kreun e FRD-së por edhe për disa figura të tjera të kësaj force do të jetë një kthim në shtëpi. Emra të njohur si, Gazmend Oketa, Aleksandër Biberaj por edhe figura të tjera të dala nga radhët e PD-së, të cilët ju bashkuan FRD-së pritet të rikthehen sërish në PD. Aleksandër Biberaj ishte i pari i cili hodhi hapin e parë drejt PD-së ku kërkoi zyrtarisht që të kandidonte për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, por kërkesa e tij nuk u pranua nga kryesia e PD-së. Nga ana tjetër edhe për Gazmend Oketën, bashkimi i FRD-së me PD-në do të jetë një kthim në partinë e cila e bëri të njohur që pas fitores së mandatit të tij të deputetit në Durrës. Por natyrisht rikthimi më i madh do të jetë ai i kryetarit të FRD-së, Bamir Topi. Që në momentin kur Topi hyri në politikë, dhe deri kur u zgjodh President i Republikës ka qenë një nga figurat kryesore të Partisë Demokratike, madje një nga deputetët më të votuar të Kuvendit. Topi ka mbajtur poste të rëndësishme në PD, si nënkryetari i saj për vite me radhë, gjithashtu kryetar i grupit parlamentar të PD-së në kohën kur kjo ishte në opozitë, por edhe postin e ministrit. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›