Historia e familjes që fqinjët duan ta nxjerrin me dhunë nga banesa
Çifti Liko: 20 vite sorollatje në Gjykatë, për shtëpinë
Prej 20 vjetësh sorollaten dyerve të gjykatave për të mos humbur shtëpinë e tyre që ndodhet në Bulevardin Zogu I-rë pall 32, shkalla 3 bodrum. Dy bashkëshortët Arben dhe Natasha Liko rrezikojnë që të mbeten të pastrehë, për shkak se tre prej fqinjëve, me të cilët ata banojnë në pallat, duan ti marrin shtëpinë prej 47 metrash katrorë. E si të mos mjaftonte kjo, institucioni i Gjykatës, zvarrit pa asnjë arsye çështjen e familjes Liko, duke i shkaktuar atyre përgjatë 20 viteve, lodhje, e dëme të mëdha ekonomike. Në lidhje me këtë çështje, Natasha rrëfen se problemi i tyre, për pronën, është tepër urgjent, pasi familja e saj rrezikon të mbetet në rrugë të madhe për shkak të kërcënimeve nga fqinjët. Sipas saj, dhjetëra ankesa janë depozituar në Gjykatë, e në Ministrinë e Drejtësisë për vonesat e gjyqit, ndërsa çështja mbetet ende e pazgjidhur. 40 vjeçarja nga Tirana bën me dije se ajo vuan prej më shumë se 17 vjetësh me sëmundjen e astmës ndërsa përkeqësohet sa herë paraqitet në Gjykatë, për shkak të mërzitjes nga vonesat e shtyrjet e seancave të gjyqit.
Historia
Natasha sëmundjen e vështirë duket se e ka peshqesh, nga kushtet në të cilat ajo ka jetuar në banesën e saj, për shumë vite me radhë, por siç shprehet, ka qenë e destinuar të jetojë në lagështirë, pasi familja e saj, nuk ka pasur mundësi financiare të blinte një shtëpi tjetër. Familja Liko, përbëhet nga djali, dhe vajza 23 vjeçare, ndërsa në pamundësi për të punuar për shkak të problemeve shëndetësore, dy bashkëshortët jetojnë me rrogat e dy fëmijëve që edhe pse studiojnë, punojnë për të mbajtur familjen me të ardhura. Kam 20 vjet që sorollatem nëpër dyert e gjykatave, sepse tre prej fqinjëve duan të më nxjerrin jashtë, e kam marrë këtë shtëpi me autorizim provizor që ma ka dhënë ndërmarrja banesa në vitin 1994, kam paguar qera për disa vjet më radhë, dhe tani rrezikoj të mbetemi në qiell të hapur shprehet Natasha, dhe ndërsa tregon historinë e gjyqeve të njëpasnjëshme, me vështirësi arrin të marrë frymë.
Konflikti
Konflikti mes familjes së Arben Likës dhe tre fqinjëve të tyre të cilët duan ti marrin shtëpinë ka nisur rreth viteve 1997. Tre fqinjët kanë kryer edhe privatizimin e banesës i cili është i dyshimtë për shkak se familja Liko jeton ende në këtë shtëpi. Ndërsa një tjetër fakt është edhe dokumentacioni që disponon çifti Liko dhe autorizimi i dhënë disa vite më parë nga ish kryetari i Lagjes i cili nuk jeton më Asim Shehu. Që prej vitit 1993-1997 familja ka jetuar në qetësi ndërsa më pas ka nisur konflikti midis palëve. Duke akuzuar Gjykatën për zvarritje të pa justifikuara në lidhje me çështjen gjyqësore të shtëpisë së tij Arbeni thekson se jeton në varfëri të plotë i papunë dhe shpenzimet për gjyqin që e kalojnë vlerën e më shumë se 3 milion lekëve i ka marrë borxh tek njerëzit e tij.
Apeli
Në këto 20 vjet kam jetuar në varfëri të plotë mes lagështirës dhe mykut, jam i pastrehë, se kuptoj përse duan të më nxjerrin jashtë, të na e marrin edhe këtë strehë ku po jetojmë, ndaj edhe bëj apel për ndihmë, nga prokuroria dhe gjykata që ta zgjidhin sa më parë problemin e banesës shprehet Arbeni teksa tregon se fqinjët e tij kanë njohje në Gjykatë ndaj sipas tij, ky institucion e ka vonuar prej vitesh çështjen e shtëpisë. Fqinjët e mi janë biznesmenë, disponojnë disa prona dhe nga ana tjetër duan të më marrin edhe atë gjysmë bodrum ku jetoj në skamje me fëmijët e mi Shprehet i shqetësuar kryefamiljari Lika, ndërsa i bën një lutje publike, Bashkisë së Tiranës, që nëse fqinjët e fitojnë gjyqin për pronën, ky institucion ti mundësojë një strehë, familjes Lika. Bashkia të më krijojë një mundësi tjetër, nëse fqinjët paguajnë para në gjykatë, dhe e fitojnë gjyqin, unë kam harxhuar miliona lekë për ta fituar atë pronë, duke paguar qeranë shtetërore, duke paguar dokumentacionin, gjyqet e pafundme, i kam kushtuar jetën, asaj strehe, vetëm për të jetuar në qetësi familja ime dhe jam i pafuqishëm për tu përballur me padrejtësitë që bëhen në Gjykatë, ndaj bëj apel për ndihmë nga shteti e përfundon rrëfimin e tij Arben Lika. Tirana Observër do ta ndjekë në vazhdimësi këtë ceshtje duke shpresuar në zgjidhjen e çështjes për konfliktin e banesës, për familjen Lika. Apeli i fundit i bashkëshortëve i drejtohet Gjyqësorit të Tiranës, në mënyrë që ky institucion të ndërmarrë një vendim të drejtë e të paanshëm në vlerësimin e kësaj çështjeje emergjente ky një familje e varfër rrezikon, që bashkë me dy fëmijët të mbetet në qiell të hapur./Arta Agolli