E Shtunë, 31 Tetor 2026

Costa Azurra dhe Kanarie, pushimet e liderëve

Nga "Costa Azurra" në Dolomite, pastaj nga ishujt Kanarie në Toskana. Edhe liderët botërorë po përgatiten për pushimet e verës. Janë të paktë ata që do të lëviznin shumë larg atdheut, duke preferuar vende luksoze, sepse për shkak të krizës ekonomike që ka pushtuar globin, politikanët nuk duhet të jenë objekt i kritikave të ashpra të opinionit publik. Ky rregull për t‘u ndjekur vlen sidomos për Kancelaren Angela Merkel, së cilës i duhet të përgatitet për një tur të ri elektoral.

Britania e Madhe

Disa thonë se është forcë e zakonit, të tjerë thonë se është pjesë e karakterit të tij shumë të kujdesshëm. Sido që të jetë, Gordon Brown dhe familjes së tij nuk u pëlqen shumë të ndryshojnë. Për të tretin vit radhazi, Gordon dhe familja kryeministrore kanë vendosur të qëndrojnë në vendin e tyre. Pas Dorset dhe Suffolk, kësaj here zgjedhja i përket distriktit të "Liqeneve të mëdhenj". Por, periudhën më të gjatë të pushimit Kryeministri britanik do ta kalojë në "kolegjin" e tij elektoral, në shtëpinë e Kirkaldy-t. Franca dhe Greqia duket se do të jenë vendet e preferuara për liderin e opozitës, David Cameron, për të kaluar këtë verë, ndërsa për liberaldemokratin Nick Clegg do të ketë pushime spanjolle.

Franca

Më tepër se pushime për qejf, ato për Nicolas Sarkozy do të jenë pushime rreptësisht të detyruara nga mjekët. Pas shqetësimeve të vogla me shëndetin një javë më parë, teksa bënte vrap, numri një i shtetit francez është urdhëruar menjëherë nga mjekët për të qëndruar larg zhurmës dhe stresit të punës. Presidenti i Republikës Franceze ka vendosur të shkojë në Cap Negre në Costa Azurra, në vilën e bashkëshortes së tij, Carla Bruni. Ai ka evituar rezidencën zyrtare, "Forte di Bregancon", që gjendet pak kilometra larg. Eh... kështu, nëse ai nuk largohet, nuk mund ta bëjnë edhe ministrat e tij: për të gjithë urdhri është që të shkojnë aq larg sa për dy orë udhëtim me avion të mund të kthehen sërish në Paris. Por, mbi të gjitha duhet të jenë të disponueshëm dhe të gatshëm 24 orë në 24. Ndërkaq, për Kryeministrin francez, Francois Fillon, Italia duket se është vendi ideal për pushimet verore. Pas Salentos vitin e shkuar, kësaj here do të kthehet sërish në Chianti, në Toskana.

Gjermania

Si gjithmonë është Italia vendi për të kaluar pushimet e verës nga klasa politike gjermane. Kancelarja Angela Merkel do të pushojë si zakonisht në Val Fiscalina. Në të vërtetë, kancelares i duhet të pushojë para zgjedhjeve të parashikuara për në 27 shtator. Gjithmonë në Dolomite ka kaluar disa ditë relaksi edhe kandidati socialdemokrat, Frank-Walter Steinmeier.

Spanja

Familja mbretërore ka deklaruar se pushimet e tyre këtë verë do të jenë disi të kryqëzuara, për faj të krizës që në Spanjë po gjunjëzon ekonominë. Kështu, Mbreti Juan Carlos dhe Mbretëresha Sofia, me siguri do të jenë në ishullin e Lanzarotes, ku do t‘u bashkohet edhe Kryeministri Jose Luis Zapatero, bashkë me gruan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Sytë duket se janë përqendruar krejtësisht mbi pushimet e familjes së re të Shtëpisë së Bardhë, asaj Obama. Presidenti amerikan dhe familja e tij po përgatiten për pushimet e para si "First family". Ndryshe nga ç‘mendohej, Presidenti Barack Obama ka sfiduar akuzat e snobizmit dhe pas pushimeve të gushtit do të jetë në Marthas Vineyard, një ishull përgjatë bregut të Massachusetts, që pëlqehej shumë nga Kennedy-të dhe nga intelektualët e "East Coast". Ky ishull ka një traditë të gjatë pritjeje për borgjezinë afro-amerikane. Madje aty pushonte gjithmonë edhe Martin Luter King.

San Tropeja dhe të famshmit

Por ndërsa liderët kanë hequr dorë nga pushimet super të shtrenjta, nuk kanë menduar kështu më të famshmit e globit, një pjesë e të cilëve kanë zgjedhur bukurinë e San Tropesë. Pikërisht këtu do i kalojnë pushimet njerëz të njohur në të gjithë botën për miliardat e tyre dhe luksin e shfrenuar: Roman Abramovich, François Pinault, Baroni Von Opel, Arnaul Vincent Bollore, Armani, Roberto Cavalli, Bill Gates e plot të tjerë. Por, përveç tyre, janë më pak të njohurit ata që të bëjnë të çuditesh. Në San Trope ka shumë rusë, amerikanë, pakistanezë, arabë, libanezë, sauditë, spanjollë dhe gjermanë. Sigurisht, edhe këta njerëz janë në gjendje të harxhojnë para pa limit, dhe të mendosh se disa ditë pushime aty mund t‘u kushtojnë rreth 1 milion dollarë. Super të pasurit aty zakonisht dalin rrugëve me "Bentley" e "Porch Carrera". Turistët që mbërrijnë këtu në orët e mbrëmjes janë të panumërt, kjo sepse shumica e tyre nuk e di që spektakli fillon në darkë. Skena është e gjitha në plazh, kur rreth orës 13:00 mbërrijnë me dhjetëra jahte të mëdhenj dhe horizonti mbushet me miliarderë. Përkrah tyre qëndrojnë superskafet dhe motoskafët e milionerëve dhe të famshëmve. Gjithçka flet me gjuhën e luksit, kënaqësisë së shfrenuar dhe miliardave. Era e pishave, plazhit, frutave ekzotike dhe kremrave, shpesh përzihet me atë të "Chiba"-s, cigares së preferuar nga arabët dhe libanezët, që në San Trope gjendet me shumicë. Jahtet, të rreshtuar njëri pas tjetrit, duket sikur do të zhvillojnë konkursin e bukurisë së radhës. Në San Trope askush nuk i numëron paret, sigurisht jo miliarderët, madje as milionerët. Të shkosh aty, duhet të matesh mirë, ndaj liderët botërorë nuk mund t‘ia lejojnë vetes në këtë kohë krize globale. Si gjithmonë, ky vend mbetet parajsa e Abramovich & Co.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›