E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashton Kutcher, djaloshi që nuk kënaqet kurrë me veten

Flokë të gjatë e me onde, mollëza të ngritura (pikat e forta që e kanë ndihmuar të shkëlqejë gjatë karrierës së mëparshme si model), sy shprehës, trup sportiv dhe mbi të gjitha buzëqeshje vezulluese, por që i ngjan pak asaj të një komiku, i cili është gjithmonë gati për të bërë shaka. Por Ashton Kutcher nuk di vetëm të qeshë e të bëjë shaka. Kur bëhet fjalë për çështje serioze, ai shfaq menjëherë karakterin e fortë dhe tregon se, siç është i zoti të bëjë humor, di edhe të zgjidhë problemet e rëndësishme.

Të gjithë e dimë se Ashton Kutcher ka qenë për vite me radhë në krye të listës së beqarëve bukuroshë, që u bë i famshëm me spektaklin komik "That ‘70s Show" dhe se ishte i pari që e ndryshoi konceptin e kamerave të fshehta për të vënë në lojë personazhet e famshëm ("Punk‘d" është një prej spektakleve amerikanë më të suksesshëm të transmetuar ndonjëherë në kanalin televiziv "MTV"). Në rrjet është personi i parë që e ka kuptuar fuqinë e teknologjive të reja, duke arritur të bëjë për vete 1 milion fansa në "Twitter". Gjithashtu, Ashton është admiruar nga publiku i gjerë se është martuar me Demi Moore, një nga aktoret më të bukura dhe më profesioniste të Hollivudit.

Pavarësisht të gjitha këtyre që përmendëm më lart, Ashton vazhdon të jetë një djalë i thjeshtë dhe shumë i dashur me të gjithë. Sipas thënieve të miqve të fëmijërisë, edhe pse Ashton ka mbushur 31 vjeç, është ai djali i dikurshëm që e do familjen dhe ka lidhje të forta me të afërmit e tij, të cilët ndodhen në Iowa. Ndërkohë, flet, ha dhe përgjigjet në telefon në të njëjtën kohë. "Kur të telefonon bashkëshortja, duhet të përgjigjesh gjithmonë dhe menjëherë".

Më pas fillon të tregojë për origjinën dhe fëmijërinë. "Vij nga një familje e thjeshtë dhe punëtore. Babai im punonte në një fabrikë drithërash, ndërsa nëna mbushte shishet e shampove ‘Head & Shoulders‘. Falë punës së tyre e kuptova rëndësinë e parave dhe kështu, gjatë pushimeve verore, si çdo fëmijë tjetër edhe unë punoja nga pak. Punësohesha në fabrikën ku punonte babai. Pastroja pluhurin e drithërave. Në atë kohë isha 17 vjeç dhe fitoja 12 dollarë në orë. Mund t‘ju duket qesharake, por lumturohesha, sepse për mua ishin shumë, edhe pse në fund të ditës dukesha si një ‘panine‘ e mbuluar me pluhur sheqeri dhe perla ngjyra-ngjyra. Sigurisht që nuk ishte puna që dëshiroja, por fitoja goxha para, ndërkohë që studioja për t‘u bërë biokimist. Kisha zgjedhur këtë degë për arsye të diagnozës që iu përcaktua vëllait tim, i cili bëri një transplant në zemër kur ishte vetëm 13 vjeç, për shkak të një virusi që i shkatërroi indet muskulore. Doja ta mposhtja atë sëmundje". Pasi studioi një vit në universitet, fitoi një konkurs si model dhe u nis për në Nju Jork, ku më pas do të pozonte për markat e famshme "Calvin Klein" dhe "Gucci". "U nisa me 100 dollarë në xhep dhe dëshirën e madhe për të zbuluar botën. Në Nju Jork pata fatin të merrja pjesë si protagonist në një film për adoleshentë, xhiruar nga disa studentë. Më pas bëra audicionin për filmin ‘Varsity Blues‘, ku nuk u pranova. Në Los Anxhelos bëra një tjetër audicion për NBC, i cili nuk shkoi mirë. Por, po atë ditë më ofruan një pjesë në spektaklin ‘That ‘70s Show‘. Tani do të mendoni se isha me fat, apo jo? Më vjen keq t‘ju konfirmoj të kundërtën. Pasi lexova një faqe të skenarit, kuptova se spektakli ishte një komedi dhe unë duhej të bëja rolin e karagjozit".

Një nga cilësitë e pazbuluara të Ashton është aftësia për të qenë një biznesmen i fuqishëm. Kjo cilësi e nxiti të themelonte i vetëm mbi dhjetë kompani të ndryshme, mes tyre "Katalyst Media", me të cilën prodhoi filma dhe programe televizive; shoqërinë "Dolce", që administron restorante dhe klube ekskluzive të Hollivudit, si "Les Deux", "Geisha House" dhe "Beauty".

"Kur isha i vogël, më diagnostikuan një sëmundje që quhet ‘Add‘, sindroma e mungesës së vëmendjes. Isha shumë impulsiv dhe duke qenë se nuk arrija të përqendrohesha vetëm te një gjë, gjeta mënyrën ta luftoja këtë sëmundja duke u fokusuar te shumë projekte njëkohësisht, të cilat ua besova miqve më të ngushtë, si Jason Goldberg, që është edhe ortaku im producent kinematografik. Ndihem pak si Charlie Chaplin kur filloi të bënte filma, pionierë të vërtetë të ‘Wild Wild West‘". Mjaft u morëm me biznesin, le të flasim për jetën private. "Siç e shihni, në jetën e përditshme e kam të vështirë të jem një burrë i përgjegjshëm. Ndonjëherë vazhdoj të jem ende djaloshi i parritur. Bashkëshortja ime nxehet shpesh dhe më tërheq vëmendjen, duke më kujtuar se nuk jam më i vogël e duhet të piqem. Për shembull? Si atëherë kur publikova videon e Demit thuajse të zhveshur në ‘Twitter‘. Nuk mund ta imagjinoni se sa u nxeh. Edhe ne, si çdo çift tjetër, zihemi. E para gjë për të cilën bëjmë fjalë, është moda: asaj i pëlqen të jetë elegante, ndërsa unë nuk mund të heq kurrë dorë nga xhinset. Gjithsesi, mes nesh ka shumë mirëkuptim dhe admirim për njëri-tjetrin. I respektojmë vendimet tona. Vetëm kështu mund të mbahet identiteti i vërtetë i një lidhjeje".

Përveç kinematografisë, Ashton është i pasionuar edhe pas internetit. Fansat e tij në "Twitter" kanë arritur në dy milionë. "Është mënyra ime për të komunikuar fillimisht me miqtë, pastaj me pjesën tjetër të botës. Gjithashtu e përdor internetin për të ndarë eksperiencat personale me njerëz të tjerë që mendojnë si unë. Nëse keni dëshirë të komunikoni me mua, mund të flasim përmes "Twitter".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›