Covid-19, Holanda shfuqizon shumicën e masave

Holanda ka paralajmëruar se nga 18 shkurti planifikon shfuqizimin e shumicës së masave të vëna për ta luftuar përhapjen e coronavirusit. Stadiumet e futbollit, teatrot, kinematë dhe restorantet nga e premtja sërish do të mund të presin mysafirë thuajse pa asnjë kufizim, e gjithashtu do të mund të qëndrojnë të hapur deri në ora 1 pasmesnate e jo deri në 22:00 sa është aktualisht.
“Vendi sërish do të hapet. Duke marrë parasysh zvogëlimin e numrit të infektuarve, kemi arsye për optimizëm. Por duhet të jemi real. Coronavirusi nuk është zhdukur”, tha ministri holandez i Shëndetësisë Ernst Kuipers.
Ndërkohë edhe Kancelari gjerman Olaf Scholz do të konsultohet me guvernatorët e 16 shteteve federale për hartimin e strategjisë për heqjen e kufizimeve. Numri i infeksioneve të shkaktuara nga varianti omicron në Gjermani, u rrit më vonë se në vendet e tjera evropiane dhe zyrtarët ia atribuuan këtë masave më të ashpra epidemiologjike.
Disa shtete federale gjermane tashmë kanë hequr kufizimet si ndalimi i personave të pavaksinuar që të angazhohen në tregti jo thelbësore.
Qendra Kombëtare Gjermane për Kontrollin e Sëmundjeve ka raportuar rënie të lehtë të shkallës së infeksionit në vend, megjithëse është ende shumë mbi nivelet para-Omicron. Gjermania ka një shkallë relativisht të ulët të vaksinimit kundër COVID-19 në krahasim me pjesën tjetër të Evropës Perëndimore./RTSH