E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cufaj në Frankfurt, si lexohet Evropa!

Në kuadër të Panairit më të madh të Librit në Frankfurt të Gjermanisë, i cili sivjet po mbahet për herë të 61-të dhe në të cilin me botimet e tyre po paraqiten më shumë se 7300 botues nga më shumë se 100 vende të botës, e ku mysafir nderi është Kina, shkrimtari nga Kosova, Beqë Cufaj është paraqitur në kuadër të serisë “Evropa lexon” në Internationales Zentrum (Qendra Ndërkombëtare) bashkë me kolegët e tij, Alban Le Franc nga Franca, Andrea Grill, nga Austria dhe Steve Austin nga Holanda, ku si shkas për këtë diskutim ishte botimi i revistës “Fortschritt Europa”, e cila në janar të këtij viti do të botohet njëkohësisht në Gjermani, Francë, SHBA e Angli, Portugali dhe Poloni dhe ku autorët kanë shkruar nga një ese të gjatë për rolin e kulturës në Evropën e djeshme, të sotmen, por para së gjithash, duke shikuar nga e ardhmja.

Të ftuarit e Panairit të Librit dhe të IFA (Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare) ishin të mendimit në këtë diskutim që roli i shkrimtarëve sot në Evropë nuk dallon edhe aq prej rolit që autorët kishin dhe kanë në dy dekadat e fundit.

Sidoqoftë, nuk ka qenë edhe kështu para më shumë se dy dekadash, kur secili nga autorët po të kishte jetuar në periudhën e Luftës së Ftohtë atëherë me krenari apo jo, do ta prezantonte vendin e tij dhe do të insistonte për dallimet e mëdha jo vetëm ideologjike, por edhe kulturore, ekonomike e sociale.

Ndërsa Alban Le Franc nga Franca foli për shumëllojshmërinë e shkëmbimeve, por edhe përkthimeve nga gjermanishtja në frëngjisht dhe anasjelltas, Andrea Grill u ndal tek roli i letërsive të vogla që bartin në vete, por edhe tek mundësitë që pikërisht këto letërsi me këto gjuhë jo edhe aq të përhapura në Evropë por edhe karakteret, rrëfimet dhe aspektet letrare të këtyre popujve. Holandezi Steven Austin foli sidomos për të ardhmen, duke potencuar që është tregu dhe fuqia e tij, duke filluar nga marketingu e deri tek mënyra e depërtimit të librit, letërsisë dhe artit përgjithësisht ajo që sot po bën rregulla të reja të lojës.

Shkrimtari nga Kosova, Beqë Cufaj, u ndal sidomos tek përvojat shqiptare dhe pikëshikimi nga Evropa Juglindore e Evropës. Cufaj me këtë rast potencoi që roli i shkrimtarëve, letërsisë dhe artit paradokaslisht është me se i vogël për të mos thënë kurrfarë, kur lëvizjet e brendshme brenda shoqërive dhe popujve të Ballkanit janë në pyetje. “Nuk e besoj që letërsia dhe shkrimtarët mund të kenë një rol vendimtar në ecjen para drejt pajtimit apo edhe mirëkuptimit mes popujve në këtë pjesë të Evropës. Paradoksi me këtë rast është që ishin sidomos shkrimtarët (sidomos ata serbë) që ishin nxitësit dhe krijuesit e ideologjive neofashiste dhe nacionaliste ato që shkaktuan gjithë atë gjakderdhje në Ballkan”, - deklaroi Cufaj, duke shtuar që i mbetet besnik thënies së Goeth-es, që nuk mund të ketë letërsi evropiane, por ekziston vetëm një term për letërsinë e popujve të botës dhe ajo është “Weltliteratur” (Letërsia Botërore). Në fund duhet shtuar që në këtë Panair të Librit janë të pranishëm edhe botuesit nga Kosova, “Dukagjini”, “Faik Konica”, Libri Shkollor dhe “Alb Med”. Botuesit nga Shqipëria edhe këtë vit vazhdojnë traditën e tyre tashmë disavjeçare të mosprezantimit të botimeve të tyre në Panairin më të madh të Librit të Botës në Frankfurt të Gjermanisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›