Barcelonë - Paris
Shënime udhëtimi
Në Rrugën Avinjo ku Pikaso u frymëzua për nudot, vepra kthesë e shekullit XX; tek Miroja në Barcelonë, qyteti i përkryer i harmonisë midis gjinive të artit; në Paris me Kadarenë dhe vetminë solemne në hollet e koncerteve. Maks Velo tregon se vendet që pa dhe qoshet ku u preh
Përmbusha edhe një kuriozitet që më ndiqte prej 15 vitesh. Në '92-shin, kur shkova në Paris, pata një studio në Montmartre, Rue Norvin. Aty afër ishte studioja "Bateau Lavoir" ku Picasso më 1907 kish pikturuar "Mademoiselle D'Avignon". Ishin pesë femra nudo që tronditën shekullin XX. Shekulli u zgjua ndryshe. Picasso kishte pikturuar pesë vajza, pesë prostituta.
Po përse quheshin me emrin e qytetit Avignon në Jug të Francës? Më vonë lexova se ai i kishte parë në një shtëpi publike në Barcelonë në Rrugën Avignon. Nuk e di përse, por doja ta shihja atë shtëpi. Disa gjëra më lidhin fort me artin e madh dhe bëhem i vërtetë, si litarët që lidhin fort anijet në breg. Nuk e di përse, krahas varrit të Van Gogut, doja të shihja këtë shtëpi publike. Kur vajta në Barcelonë e gjeta lehtë rrugën "Avignon", ishte në qendër afër hotelit ku banoja. Tani Vepra "Mademoiselle D'Avignon" është në MOMA, Nju Jork.
Fondacioni MIRO është në majë të një kodre që zotëron Barcelonën. Ish një nga objektivat e mia dhe prandaj i rezervova një ditë. Kjo sepse kam shumë punë të ngjashme me të. Atë modernitetin e primitivizmit. Moderniteti takohet me primitivizmin, por jo me barbarinë. Primitivizmi është fillimi, kërkimi i parë, përshtypja e parë. Primitivizmi është qytetërimi fillestar. Barbaria është mungesë qytetërimi. Primitivizmi sot takohet rrallë, është një luks. Barbaria ndodhet kudo, është qytetërim i dështuar.
Këtë takim të modernitetit me primitiven e kam ndjerë për herë të parë më 1964. Ishte një rrezatim i brendshëm, që u ngurtësua në vite.
Tani vazhdon akoma, megjithëse e ka kaluar gjysmë shekulli. Si vijnë këto koagulime, është vështirë të shpjegohet. Por, e mbaj mend mirë si një valë e nxehtë e papërballueshme, që ngurtësohej menjëherë në letër. Miroja më mbushi plot. Bëra vizatime të skulpturave. Vitet e fundit u ndihmua nga një arkitekt që i ngriti një studio të madhe. Barcelona e ka idhull. Kështu, qytetërimet perëndimore u mbështetën gjatë shekujve gjithmonë te shkrimtarët dhe artistët e mëdhenj, nën ndriçimin e tyre ecën pa u gabuar. Fondacioni ishte një vilë gjigante dykatëshe, me park, kopsht, dyqane, kafene. Mironë e merrje të plotë. Kisha dhjetravjeçarë që prisja takimin me të. Sikur e takova në studio.
Një përshtypje të jashtëzakonshme më bëri skulptura moderne e parkut të hapësirave publike. Në asnjë qytet evropian apo amerikan nuk kam parë një gjë të ngjashme. Dhe në veprat më të mira ndihej influenca e Mirosë. Fotografova një pjesë të tyre.
Në Barcelonë arkitektura skulpturore shkrihej me skulpturën arkitekturore. Habia më e madhe më vinte nga realizimi i tyre. Se ato vepra mund t'i bësh maket, madje mund t'i bësh edhe në salla të mbyllura, por është shumë e vështirë t'i realizosh në hapësirë, për shumë probleme statike se sa artistike, të qëndresës, erës, gravitacionit, korozionit etj., etj.
Barcelona është shembulli më i përkryer i harmonisë midis gjinive të artit, është e vështirë që ky qytet të arrihet dhe të tejkalohet në këtë drejtim. Aty ka trashëgimi, modernitet, primitivizëm, kapriçio, ekuilibër, harmoni, dhe përsosmëri.
Edhe këtë herë, si zakonisht, sa herë shkoj në Paris, bëra ritualin: në fillim shkova në kishën më të vjetër "Saint-Germain des Pres" dhe pastaj ulem në kafe "Deux Magots", pi një kafe. Më vonë vizitoj Notre Dame-n dhe qëndroj aty pranë në 2 Rue Arcole, ku kam lindur.
Ulur te kafja po mendoja pse qytetërimi perëndimor i provon kaq ashpër, deri në fund gjenitë. Sepse kisha parë një foto, ku Marc Shagall me gruan Valentinën, në vitin 1963 po udhëtonte në Metro, strukur në një stol dysh, për të shkuar në Grand Opera, ku pikturonte tavanin. Shagalli atëherë ishte i njohur botërisht. Dhe kjo ka ndodhur me të gjithë: me Van Gogun, Gogenin, Pikasonë, Brankushin, Modiljanin, Mironë etj.. Pastaj mbas vdekjes i bën apostuj. Me sa duket qytetërimi perëndimor ka apostuj vetëm shkrimtarët, artistët dhe shkencëtarët. Sepse ata deri në fund duhet ta provojnë veten, sepse duhen shanse të barabarta dhe sepse vetëm kështu eliminohen gjenitë e rremë. Sepse gjenitë e rremë, janë më shumë dhe kanë më tepër mundësi të manipulojnë opinionin publik. Se vetëm koha mund të bëjë seleksionimin.
Si gjithmonë, Parisi më shtyn drejt vizatimit. Është aq i larmishëm, aq i kompozuar, me aq kontraste dhe volume të balancuara dhe me një gri krisafi të thyer ose të shurdhër që të bën që dora të ecë vetë.
Vizatoj direkt, shpejt pa korrigjuar. Bëra bilancin. Në Barcelonë vizatova 8 fletë me MIRO, në letër Fabriano, e lëmuar 220 gr/mkatror; 9 fletë me Gaudin. Gaudi ka projektuar gjithsej 18 vepra nga këto 12 në Barcelonë. Kurse në Paris vizatova në bllokun që më bleu Zamiri 14 pamje nga Parisi dhe 2 nudo nga skulpturat. Nga ato 14 vizatime, 7 i bëra ditën e fundit, të premten, 25 shtator. Ishte kohë e bukur dhe sa mbaroja njërën doja të bëja një tjetër. Gati të gjitha janë me Senën, përveç 2 me Saint-Germaint Des Pres. Ai lloj vizatimi që bëj tani është i vështirë, direkt pa asnjë korrigjim: thjeshtues dhe shprehës.
Pastaj takova Kadarenë, është në pjesën e ceremonialit tim në Paris. Ndenjëm gjatë, ishte diell dhe shkuam në Jardin Du Luxembourg; pastaj Elena dhe Ismaili më ftuan për drekë. Kadareja gjithmonë është ceremonial, kështu e kam njohur që prej 50 vitesh. Gjithmonë vishet me kostum dhe kravatë. Mendoj se është pesha e shkrimtarit të madh, e gjeniut. Ai gjithmonë i ndërgjegjshëm e ka mbajtur këtë peshë. Për të letërsia është shumë, nuk është vetëm libra. Ajo për të, merr pjesë në ndërtimin dhe përmirësimin e botës.
Parisi i ka të gjitha, ka edhe vetminë. Vetmia është e domosdoshme, për reflektim. Jam mësuar ta mbush. Një mbrëmje shkova të shoh filmin e Quentin Tarantinos "Bastardet e palavdishëm" në kino ODEON. Është para stacionit të metrosë me të njëjtin emër. Isha herët për në hotel, u futa në kinema. Qetësi, shikim perfekt. Dola i zhgënjyer. Shumë ngjarje, shumë aksion, por nuk arrihej në një vepër madhore. Lexova më vonë shtypin dhe kritikët nuk ishin entuziastë.
Barcelona dhe Parisi kanë gjëra të përbashkëta, por edhe shumë ndryshime. Të dy këta qytete ofrojnë një fond shumë të pasur të arkitekturës. Të dy, gjithashtu, janë të lidhur me shumë artistë gjenialë. Por, kanë edhe ndryshime. Barcelona është shumë mesdhetare, dhe po të duhej të zgjidhej një kryeqytet i Mesdheut, patjetër që do të ishte Barcelona. Parisi është jugor, kontinental dhe verior. Por, Parisi është shumë madhështor, shumë mbretëror dhe perandorak, në të arkitektura moderne nuk tingëllon dot. Është si puna e një tempulli, ku nuk mund të ngresh një tempull të një besimi tjetër.
Isha me fat, në gjashtë ditë dëgjova pesë koncerte simfonike.
Të dielën ndoqa në sallën koncertore të Radio Francës Festivalin e Muzikës Bashkëkohore. Salla Olivier Messiaen ka për mua edhe një kuriozitet profesional. Kur u futa për herë të parë, para disa vjetësh, m'u duk sikur u futa në sallën tonë të Operës. Pastaj dalëngadalë bëra lidhjen logjike. Salla është ndërtuar në vitet pesëdhjetë, projekti i botuar në revistën "Architecture Française", me siguri është parë nga grupi i arkitektëve tanë që punonin për Operën. Kjo ishte një nga revistat që vinte atëherë. Vetëm se ajo është më e vogël dhe nuk ka skenë dhe ka një ballkon, kurse te ne u shtua edhe një lozhë qeveritare. Luanin kori dhe orkestra Colonne me dirigjent Laurent Petitguard. U luajt muzikë nga Sheng, Greif, Maratka, Connesson. Më la mbresa të veçanta vepra e K. Maratkes, vepër sinfonike me soprano. Ishte e jashtëzakonshme për nga konceptimi dhe realizimi. Orkestrës i ishin shtuar shumë instrumentë të rinj dhe këngëtarja e rezonte belkanton. Vepra na shpinte te njeriu primitiv i shpellave dhe tentonte të rikrijonte fillimet e melodisë dhe të muzikës, si dhe zanafillën e instrumenteve. Maratka është kompozitor dhe dirigjent çek i vendosur në Paris.
Të hënën më 21 shtator dëgjova në sallën Pleyel Orkestrën simfonike të Çikagos me dirigjent Bernard Haitink. Ishte ora 20 kur dirigjenti 80-vjeçar doli në skenë, ngriti duart dhe u dëgjua një zë qiellor: ishte orkestra. Luajti Haydn, pastaj Bruckner. Të mërkurën më 23 shtator, dëgjova Orkestrën e Parisit me dirigjent Christoph Eschenbach-un dhe solist pjanistin Tzimon Barto. Luajtën Saint Saens dhe Sinfoninë e Prokofjevit.
Të enjten në Teatrin e Champs Elysees-së në Paris dëgjova Orkestrën Nacionale të Francës nën dirigjimin e Kurt Masur-it, koncertin e Bramsit e luajti në violinë, violinisti Rus Vadim Repin. Violinist i ri që luan në gjithë sallat e mëdha të botës, na la pa frymë. Isha në rreshtin e dytë dhe u mahnita, nuk kisha dëgjuar të tillë violinist. Parisi kishte kohë që e priste dhe ai i tejkaloi vlerësimet. Parisi u magjeps. Të premten dëgjova Orkestrën Filarmonike të Radio Francës me Myung Whun Chung dirigjent dhe Lors Voght pianist solist. Të shtunën në mëngjes u nisa për në Tiranë.
Fotot dhe vizatimet janë të autorit.