E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paci, çmim për Shqipërinë e dhimbshme

Artisti shqiptar, Ardian Paci, është përzgjedhur mes tetë artistëve nga e gjithë bota, si konkurrent i edicionit të katërt të “Artes Mundi”, një nga çmimet më të mëdha që ndahet në Angli për artet pamore, që mbahet në Uells. Diversiteti i nacionaliteteve dhe media artistike, që dallohet nga lista e përzgjedhur, zbulon qëllimin e çmimit “Artes Mundi”, i cili është në kërkim të “artistëve të shquar nga e gjithë bota, që të stimulojnë të menduarit tonë mbi gjendjen e njeriut dhe njerëzimit”

Artisti shqiptar, Ardian Paci, është përzgjedhur mes tetë artistëve nga e gjithë bota, si konkurrent i edicionit të katërt të “Artes Mundi”, një nga çmimet më të mëdha që ndahet në Angli për artet pamore, dhe që mbahet në Uells.

Përveç Pacit nga Shqipëria, artistët e përzgjedhur janë nga Bullgaria, Izraeli, Kyrgyzstan, Peruja, Rusia dhe Tajvani, të cilët do të konkurrojnë për çmimin prej 40000 paundësh. Diversiteti i nacionaliteteve dhe media artistike që dallohet në listën e përzgjedhësve zbulon edhe qëllimin e çmimit “Artes Mundi”, i cili është në kërkim të “artistëve të shquar nga e gjithë bota, që të stimulojnë të menduarit tonë mbi gjendjen e njeriut dhe njerëzimit”.

Në këtë vështrim, Ardian Paci do të prezantohet në këtë konkurs me video, fotografi dhe piktura që rrokin tema politike dhe të emigrimit. Çfarë tërheq në paraqitjen që “Artes Mundi” i ka bërë artistit shqiptar, ka të bëjë me rikrijimin e përvojave personale të Pacit, duke përdorur teknika të tregimit tradicional. “Ai reflekton mbi historinë e tij, që zhvendoset në një situatë më shumë i detyruar nga përvojat. Me familjen e tij, ai la Shqipërinë, vendin e tij të lindjes, në vitin 1997, pas trazirave, duke shkuar në Itali, ku ai vazhdon të jetojë.

Ai i drejtohet politikave të dhimbshme të Shqipërisë dhe realiteteve të emigracionit në film, fotografi dhe pikturë. Në punën e tij të hershme, ai rikrijon eksperienca personale brenda rrethit të tij të familjes, ndërsa me punën e tij më të fundit ai tërheq mbi universalen. Duke vepruar kështu, ai nuk heziton të miksojë imagjinatën dhe realitetin, duke kombinuar humorin, patosin dhe ndjeshmërinë e lëndës”. “Artes Mundi” është themeluar në vitin 2003 dhe punon në partneritet me Amgueddfa Cymru - Muzeu Kombëtar në Uells. Tessa Jackson, themeluesja dhe drejtorja artistike e “Artes Mundi” tha: “Qëllimi i këtij çmimi nuk është vetëm për të njohur talentin e tyre specifik, por edhe për të paraqitur një gamë më të gjerë artistësh në skenën e artit britanik. Forca e këtyre punëve, e ndërlidhur me kontekstin dhe referenca kulturore të panjohura për shumë prej nesh, ofron dhe përbën një mundësi shumë të mirë për të eksploruar botën e artit dhe të artistëve". Çmimet pritet të ndahen në maj 2010 dhe vendimi do të jetë i bazuar mbi punën e pesë viteve të fundit të të tetë artistëve.

Themeluesi i çmimit, William Wilkins, tha: “Me këtë çmim dua të sjell botën në Uells dhe Uellsin t’ia tregoj botës”. Si shenjë e ndikimit të çmimit, në sitin zyrtar të “Artes Mundi” përmendet fituesi i vjetshëm, NS Harsha, i cili menjëherë pas çmimit ka marrë oferta për të ekspozuar në galeritë më prestigjioze në Evropë.

Procesi intensiv i përzgjedhjes nga “Artes Mundi” përfshiu mbi 480 propozime ndërkombëtare, pra artistë nga më shumë se 80 vende të botës. Lista u zgjodh nga dy selektorë, specialistë të caktuar posaçërisht për këtë përzgjedhje; kuratori i pavarur dhe kritiku i artit, Viktor Misiano, kuratori i parë në muzeun shtetëror “Pushkin” dhe drejtor i qendrës së Artit Bashkëkohor në Moskë dhe Levent Çalikoglu, kuratori i Muzeut të Artit Modern, në Stamboll.

Ekspozita e katërt e “Artes Mundi” do të zhvillohet në Muzeun Kombëtar Kardiff, nga 11 mars-6 qershor 2010.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›