Curi: Ramës i intereson Berisha si kryetar opozite. Neza: Kjo është fantazi cinike

Analistët Arjan Curi dhe Sami Neza janë ‘përplasur’ me njëri-tjetrin në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 mbi argumentin e shumëdebatuar se kryeministrit Edi Rama i intereson Sali Berisha si kryetar opozite ose jo.
Curri tha se kryeministrit Rama i intereson Berisha pasi sipas tij, kjo është loja shumëvjeçare në politike shqiptare.
“Ramës i duhet Berisha për kryetar opozite. Prandaj vendos atë. Është loja me pasa kjo”, u shpreh Curri.
Nga ana e tij, Neza tha se kjo është një fantazi cinike dhe për më tepër kryeministri Rama do të donte të kishte një figurë politike si Lulzim Basha që nuk peshë politike në mënyrë që qeveria të mos përballej me ashpërsinë e opozitës, ndryshe nga sa reflekton Berisha.
“Alibia se Rama po mban Berishën është një gjë që është vërtetuar se nuk funksionon. Ishte Basha pa Berishën por e ktheu PD-në nga një parti të madhe në një parti të vogël. Kjo do të thotë se do t’i binte të mbante Bashën siç e mbajti, dhe të faktorizonte Bashën se sa të faktorizonte Berishën. Për Ramën do të ishte një situatë më e mirë ajo situatë që kishte më parë me Lulzim Bashën. Do ta bënte qeverinë më absorbueshme për qytetarët sepse nuk do të kishte një alternativë tjetër përballë tij”, tha Neza.
/rtsh.al/