DAMASK – Diplomatët gjermanë bisedime me lidershipin e ri sirian

BERLIN, 17 dhjetor /ATSH-DPA/- Diplomatët gjermanë në Damask do të zhvillojnë sot bisedime me grupin islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), si pjesë e një kontakti më të gjerë me qeverinë e re tranzitore të Sirisë, sipas një zëdhënëse të Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin.
“Bisedimet do të përqendrohen në një proces tranzicioni gjithëpërfshirës në Siri dhe mbrojtjen e pakicave”, tha ajo.
“Delegacioni gjerman do të shqyrtojë gjithashtu mundësinë e një pranie diplomatike në Damask”, sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme.
Gjithashtu janë planifikuar takime me shoqërinë civile siriane dhe përfaqësues të komunitetit minoritar të krishterë.
Një përfaqësues i Ministrisë Gjermane të Zhvillimit (BMZ) është gjithashtu në delegacionin gjerman, i cili drejtohet nga Tobias Tunkel, i dërguari i Ministrisë së Jashtme për Lindjen e Mesme.
Udhëheqësit e HTS janë përpjekur të sinjalizojnë moderimin dhe kanë shprehur synimin e tyre për ta udhëhequr Sirinë drejt stabilitetit dhe tolerancës ndaj pakicave.
Megjithatë, grupi ka lidhje të hershme me grupet terroriste Shteti Islamik dhe al-Qaeda.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të tjerët e kanë cilësuar HTS si një organizatë terroriste dhe i nënshtrohet sanksioneve të BE-së.
“Siria nuk duhet të bëhet as peng i fuqive të huaja dhe as një eksperiment i forcave radikale. Ne e dimë se nga vjen HTS dhe jemi të vetëdijshëm për origjinën e saj në ideologjinë e al-Qaeda”, tha zëdhënësja gjermane, duke shtuar se aktivitetet e HTS dhe qeveria tranzitore po monitorohet nga afër.
“Me sa mund të thuhet, ata kanë vepruar me maturi deri më tani. Ashtu si partnerët tanë ndërkombëtarë, ne do t’i monitorojmë veprimet e tyre. Çdo bashkëpunim kërkon që të mbrohen pakicat etnike dhe fetare dhe të respektohen të drejtat e grave”, tha zëdhënësja.//a.i/