E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH: Kosova, përparim në ligjet për luftën kundër terrorizmit

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër terrorizmit në pjesën për Kosovën thuhet se qeveria kosovare ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në çështjet që kanë të bëjnë me terrorizmin. Sipas raportit Kosova ka shënuar përparim në miratimin e legjislacionit për të luftuar terrorizmin, përfshirë Strategjinë e Sigurisë së Kosovës, Ligjin për Tregtinë e Mallrave Strategjike dhe Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Sipas raporti Kapaciteti i qeverisë për të zbatuar legjislacionin që lidhet me sigurinë, megjitahtë, mbetet shqetësim ndërsa shton se njësia e Policisë së Kosovës Kundër Terrorizmit është ende në zhvillim të kapacitetit të saj për të kryer operacione të suksesshme kundër terrorizmit.

Raporti thekson nevojën e zhvillimit të bashkëpunimit dhe koordinimit efektiv ndërmjet departamenteve brenda Policisë së Kosovës.


Kosova ka shënuar përparim në miratimin e legjislacionit kundër terrorizmit. Strategjia e Sigurisë së Kosovës është miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 23 shtator.

DASH thekson se është e nevojshme Policia e Kosovës,  Doganat e Kosovës, Policia Kufitare dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës të koordinojnë përpjekjet e tyre kundër terrorizmit dhe për të siguruar se “Kosova nuk do të bëhet strehë e individëve apo grupeve, që synojnë të nxisin ekstremizmin e dhunshëm dhe të trajnojnë apo pajisin terroristët potencialë”.

"Departamenti Kundër Terrorizmit i Policisë së Kosovës ishte kryesisht përgjegjës për përpjekjet e Kosovës kundër terrorizmit. Kapaciteti i tij për të kryer operacione të suksesshme mbetet në zhvillim e sipër.Ky departament përfshin 27 oficerë dhe vazhdon të trajnojë dhe zhvillojë kapacitetet e zyrtarëve të tij. Trajnimi zhvillohet në bazë të programeve të financuara nga Shtetet e Bashkuara, OSBE-ja, partnerët evropianë – veçanërisht Turqia – në fushat që përfshijnë mbikëqyrjen, marrjen në pyetje, hetimin, inteligjencën kundër terrorizmit dhe analizat. Përpjekjet operative të Departamentit Kundër Terrorizmit në Kosovë thuhet të jenë penguar nga mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet departamenteve" thekson raporti.

Më 30 shtator, me ndihmën teknike të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Kosova ka miratuar Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe të Financimit të Terrorizmit.

Ligji detryon Task Forcën e Veprimit Financiar të raportojë obligimet, përfshirë edhe raportimin e transaksioneve të dyshimta dhe të strukturuara.

I njëjti ligj gjithashtu ka krijuar një Njësi të pavarur të Inteligjencës Financiare, e cila duhet të raportojë çdo transaksion mbi 10 mijë euro, transaksionet e dyshimta dhe transaksionet e strukturara.


Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar

Marrë parasysh kufizimet që paraqet gjendja e saj financiare, Qeveria e Kosovës ka zgjeruar përpjekjet e saj për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë, për të adresuar rrjedhën e individëve që, në mënyrë të paligjshme, kalojnë transit nëpër Kosovë, dhe për të identifikuar kërcënimet e mundshme, si nga brenda, ashtu dhe nga jashtë.

Policia Kufitare e Kosovës mban takime të rregullta mujore me homologet e saj nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi.

Policia e Kosovë ndjek edhe një nismë të operacioneve kufitare, e cila përfshin bashkëpunimin dhe komunikimin ndërkufitar, shkëmbimin e inteligjencës dhe operacione të përbashkëta me policinë kufitare të tri vendeve të lartpërmendura.

Policia e Kosovës ka punuar edhe me qeveritë e Bullgarisë dhe Turqisë në lidhje me çështjet kufitare.

* * *

Raporti thekson se Qeveria e Kosovës, gjatë vitit, ka bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për të ekstraduar një shtetas të Kosovës në SHBA, për t’u përballur me ndjekje penale në lidhje me akuzat për terrorizëm.

Zyra e Prokurorit të Shtetit dhe Zyra e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës kanë paraqitur kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e të arratisurit, por një panel i Gjykatës Supreme të Kosovës, i përbërë nga dy gjykatës të misionit evropian për sundimin e ligjit dhe një gjykatës i Gjykatës Supreme të Kosovës, ka refuzuar kërkesën e ekstradimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›